Vora ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në javën e nëntë të “Abissnet Superiore”, duke mposhtur Vllazninë me rezultatin 2-1. Skuadra e drejtuar nga Arjan Bellai zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, duke siguruar tri pikë të arta përballë shkodranëve.
Takimi nisi me ritëm të lartë, ndërsa vendasit treguan menjëherë se kërkonin vetëm fitoren. Ishte Kashari ai që zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, duke realizuar një gol spektakolar nga distanca. Pavarësisht përpjekjeve të Vllaznisë, 45 minutat e para përfunduan 1-0.
Në pjesën e dytë, shkodranët kërkuan me ngulm barazimin, por Vora u tregua më konkrete. Në minutën e 85-të, Daka shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë dhe dyfishoi avantazhin. Ky gol solli edhe protesta nga futbollistët e Vllaznisë, të cilët pretenduan për një ndërhyrje të parregullt.
Në minutën e 89-të, Bekim Balaj realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke ngushtuar rezultatin në 2-1. Megjithatë, koha e mbetur nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Me këtë sukses, Vora ngjitet në vendin e pestë me 11 pikë, ndërsa Vllaznia mbetet në zonën e fundit të renditjes, duke konfirmuar vështirësitë e këtij sezoni. Një fitore që konfirmon ambiciet e Vorës në Superiore. /Sport Ekspres/