Humbje e papritur dhe një mbrëmje për t’u harruar për Milanin. Skuadra italiane është mposhtur me rezultatin 0-2 nga Ferencvarosh në San Siro, në një ndeshje ku vëmendjen më të madhe e mori mënyra qesharake se si kuqezinjtë pësuan golin e parë.
Milani u ndëshkua nga një gabim i rëndë i portierit Lorenzo Torriani. Në përpjekje për të kontrolluar një pasim mbrapa nga mbrojtja, gardiani italian bëri një prekje të gabuar të topit dhe nuk e kuptoi se kundërshtarët po i afroheshin me shpejtësi. Zachariassen i rrëmbeu topin, ndërsa Torriani e pengoi në momentin e daljes, por gjyqtari lejoi vazhdimin e aksionit.
Përfituesi ishte Lenny Joseph, i cili e kishte të lehtë ta dërgonte topin në rrjetën e boshatisur. Një gol që shkaktoi zhgënjim të madh te tifozët vendas dhe vuri në pikëpyetje paraqitjen e portierit të ri.
Problemet për Milanin u thellua në minutën e 66-të, kur i njëjti lojtar, Joseph, përfitoi nga një tjetër kundërsulm i shpejtë për të realizuar golin e dytë. Zachariassen ishte sërish protagonist me asistin, duke kompletuar një mbrëmje fantastike për skuadrën hungareze. As kartoni i kuq i Bamidele Yusuf në minutën e 77-të nuk i ndihmoi italianët të riktheheshin në lojë.
Kështu, Milani pëson një tjetër goditje të rëndë në Europa League, ndërsa Ferencvarosh konfirmon se nuk është rastësisht mes skuadrave më të mira të kompeticionit. Një fitore e madhe për hungarezët, por një natë me shumë pikëpyetje për kuqezinjtë. /Sport Ekspres/