Anis Mehmeti ka reaguar publikisht pas zërave që qarkulluan për një tërheqje të mundshme të tij nga Kombëtarja shqiptare. Futbollisti i Ipswich Town ka vendosur të sqarojë gjithçka, duke mohuar kategorikisht pretendimet për një krisje të marrëdhënieve me përfaqësuesen kuqezi.
Gjithçka nisi pas publikimit të listës së trajnerit Rolando Maran për dy ndeshjet e nëntorit ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë, ku emri i Mehmetit mungonte. Situata u bë edhe më e zhurmshme pasi u vu re se futbollisti kishte fshirë nga Instagrami postimet që lidhen me Kombëtaren. Ky veprim u interpretua si një shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të trajnerit italian, por vetë lojtari ka dalë për të hedhur poshtë këto aludime.
“Pretendimet se kam fshirë postimet me fanellën e Kombëtares për shkak të mosgrumbullimit të fundit janë plotësisht të pavërteta. Përfaqësimi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet gjithmonë një krenari e veçantë për mua. Jam plotësisht i përkushtuar ndaj Kombëtares dhe do të jem gjithmonë i gatshëm sa herë që të më jepet mundësia ta përfaqësoj në të ardhmen”, deklaroi Mehmeti. Kështu, mesfushori shuan çdo dyshim për të ardhmen e tij me fanellën kuqezi. /Sport Ekspres/