VIDEO/ Rastësi apo plan gjenial? Goli i Bruno Fernandezit hap debate, shihni çfarë bëri mesfushori portugez

Manchester United-i u largua me një barazim 2-2 nga transferta e mbrëmshme kundër Sportingut të Lisbonës. Bruno Fernandesi ishte autori dy golave ndaj ish-skuadrës së tij. Goli i tij i dytë, i shënuar në minutën e 50, ka hapur diskutime të mëdha në rrjet për vetë mënyrën se si u realizua.

Fillimisht Bruno Fernandezi krijoi një gropë me takën e tij në zonën e Sportingut gjatë kohës kur po ushtronte presion mbi portierin kundërshtar. Loja vazhdoi dhe më pas topi përfundoi në këmbët e mesfushorit të Manchester United-it. Këtë herë, i gjendur jashtë zonës, ai provoi gjuajtjen nga distanca.

E këtu nisin edhe diskutimet. Fernandesi e goditi topin rrafsh me fushën. Sfera preku pikërisht në gropën e krijuar prej tij dhe ndryshoi trajektoren papritur, duke kapur në befasi portierin. Pas këtij momenti në opinionin sportiv ka lindur natyrshëm pyetja: A ishte e gjitha rastësi? Apo kemi të bëjmë me një plan gjenial i Bruno Fernandesit, i cili e gjuajti me qëllim topin rrafsh me tokën për të gjetur pikërisht atë pjesë të caktuar të fushës?”./Sport Ekspres/