Real beson se është dëmtuar rëndë në derbin kundër Atléticos. Gjyqtari Jose Sánchez Martinez u kritikua rëndë pas derbit të javës së 23-të të La Ligës ndërmjet Real Madridit dhe Atléticos, e mbyllur në 1-1. Lojtarët e Realit e humbën fitoren në fund të ndeshjes. Ata kaluan në epërsi me golin e Brahim Diaz në minutën e 20-të dhe Marcos Llorente u dha një pikë mysafirëve këmbëngulës në minutën e tretë të shtesës. Pas ndeshjes madrilenët ishin të pushtuar nga inati, pasi besojnë se arbitri i ka hequr jo më pak se tre penallti!
Televizioni zyrtar i klubit “Real Madrid TV” ka analizuar situatat e diskutueshme. “Gjyqtarë, si mund të flini të qetë”, thanë ata. “Penaltia e parë duhej të jepej kur Saul rrëzoi Vázquez. Një penallti e dukshme, arbitri ishte i pozicionuar në mënyrë perfekte, por ai nuk gjykoi, as VAR-i nuk e vuri në dukje. Shikoni rënien e Lucas. Është turp që gjyqtarët shikojnë nga ana tjetër në situata të tilla evidente”. “Real Madrid TV” thekson se dy penallti ndaj Jude Bellingham nuk u akorduan. “Atë e rrëzoi i pari Stefan Savic. Malazez e goditi me bërryl dhe e ndaloi në mënyrë të pahijshme.
Nuk kemi çfarë të flasim më këtu, është turp që kjo nuk u dha. Kjo është një penallti sa një katedrale”. Ata komentuan gjithashtu situatën e tretë të diskutueshme: “Bellingham shkoi për një krosim nga këndi, dhe Llorente e ndaloi atë me një shtrëngim mundje. Ata na bëjnë budallenj, dhe ne nuk jemi. Jude mori dy penallti, por ai nuk fitoi asnjërën prej tyre dhe ai ngadalë po e kupton se si është La Liga”. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/