Ekipi Kombëtar U-19 ka nisur nga sot grumbullimin tre ditor në kompleksin Tropikal në Durrës, në kuadër të përgatitjeve për të krijuar bazën e skuadrës për miqësoret e radhës dhe për turnetë ndërkombëtarë.
Ky është grumbullimi i parë për trajnerin e ri Bledi Shkëmbi që ka publikuar edhe listën me emrat e 20 lojtarëve të përzgjedhur. Të gjithë lojtarët e grumbulluar janë të vitlindjes 2006-2007 dhe 18-të prej tyre vijnë nga klubet e kampionatit shqiptar.
Lojtarët e thirrur aktivizohen me Skënderbeun, Teutën, Bylisin, Partizanin, Vllazninë, Tiranën dhe Dinamo City, ndërsa dy lojtarët e tjerë Eltion Misini dhe Shaban Memeti vijnë nga kampionati i futbollit në Kosovë. Misini aktivizohet me skuadrën e Ferizajt, ndërsa Memeti me ekipin e Bashkimit.
Gjatë dy ditëve të para ekipi Kombëtar U-19 do të kryejë disa seanca stërvitore në kompleksin Tropikal, ndërsa në ditën e tretë është planifikuar edhe një ndeshje miqësore me Teutën U-19.
Gjatë këtij grumbullimi trajneri Shkëmbi dhe stafi i tij, do të kenë mundësi të vëzhgojnë nga afër gjendjen e futbollistëve të grumbulluar dhe elementët më të spikatur në të ardhmen do të japin kontributin e tyre edhe në ndeshje zyrtare për Kombëtaren U-19.
Më poshtë, edhe lista me emrat e 20 lojtarët e ftuar nga stafi teknik i Kombëtares U-19 për grumbullimin 3-ditor që ka nisur këtë të hënë: