Ernest Muçi u zyrtarizua sot në radhët e Beshiktashit. Sezoni mjaft pozitiv i zhvilluar me Legian e Varshavës dha efektet e veta për ish-sulmuesin e Tiranës. Në zyrat e klubit polak ditën e sotme ka pasur festë. Një investim prej 500 mijë eurosh që pas tre viteve u shndërrua në një minierë ari për Legian e Varshavës. Skuadra e njohur polake ka vendosur rekord në historikun e transferimeve dalëse. Shifra prej 10 milionë eurove është më e larta që Legia e Varshavës ka fituar nga shitja e një lojtari.
Por ky nuk është rekordi i vetëm që Muçi vendos në këtë treg transferimesh. Lojtari shqiptar bëhet gjithashtu blerja më e shtrenjtë në historinë e Beshiktashit. Klubi turk nuk ka shpenzuar asnjëherë më parë një shifër pre 10 milionë eurosh. Muçi mund të ndihet krenar për vlerën e tij, tashmë është momenti që investimin monetar ta shlyejë me gola dhe asiste në fushën e lojës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/