Partizani bie në Korçë. Të kuqtë janë larguar me një humbje minimale 0-1 nga juglindja. Ishte një penallti në minutën e 38 të takimit ajo që i dha fitoren Skënderbeun. Dean Liçoja u tregua i saktë nga 11 metrat, megjithëse përballë kishte një mjeshtër në pritjen e penalltive, si Alban Hoxha. Portieri i Partizanit e kuptoi krahun e goditjes, por nuk mundi të shmangte dot golin.
Bardhekuqtë aritën të dërgonin sërish topin në rrjetë në minutat e fundit të kohës së rregullt, por këtë herë pozicioni nuk ishte i rregullt dhe goli u cilësua i pavlefshëm. Me këtë fitore Skënderbeu ka kapur Tiranën në tabelën e renditjes, ndërsa ‘final four’-i tashmë është vetëm 1 pikë larg. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Në këto ditë kishim dy ndeshje shumë të forta, kundër Dinamos dhe Partizanit. Sot ishim shumë mirë psikologjikisht. Partizani ishte i fortë në ajër. Ne ishim përgatitur për topin e gjatë. Jemi të kënaqur. Sot Dejani (Liço) ishte pak më afër te porta. Ishte në një pozicion si 10-sh. Sot ka bërë një ndeshje shumë të mirë teknikisht. Ne shikojmë vetëm javë për javë. Kam ekip shumë të talentuar. Po fitojmë përvojë, por ende jemi skuadër e re. Do bëjmë pushim nesër, do festojmë sot pak dhe më pas kemi një javë të vështirë kundër Laçit. Nuk mund të flasim për ‘final four’-in ose të flasim për poshtë. E vonuam edhe ne pak lojën, por ishte pjesë e taktikës së lojës”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/