Egnatia dhe Dinamo kishin vëmendjen kryesore në ndeshjet e sotme të Superiores të orës 13:30. Kjo përballje është mbyllur në barazimin 1-1. Goli i parë i takimit do të gjendej nga Zejnullai, i cili në minutën e 46 realizoi një perlë të vërtetë nga goditja e dënimit.
Por me një aksion brilant, Dinamo do të barazonte në të 65. Pas një krosimi fantastik të Zabërgjas, Kacorri arriti të tundte rrjetën. Në fund ndeshja u bë emocionuese, me të dy ekipet që kërkonin fitoren. Dinamo e vërtetoi se është forcuar së tepërmi dhe dukej në të njëjtën lartësi si Egnatia. Ky rezultat i jep një mundësi të artë Vllaznisë që në rast fitore kundër Tiranës, t’i afrohet Egnatias kryesuese me vetëm katër pikë. Kjo do të ishte hera e parë pas shumë kohësh që Egnatia e sheh veten kaq afër vendit të dytë, aq sa para pak kohësh u diskutua si çështje e mbyllur ajo e vendit të parë.
Nga krahu tjetër Skënderbeu ka marrë një fitore të madhe kundër Laçit. Në një kohë që kurbinasit po sulmonin dhe kërkonin vetëm fitoren, në një kundërsulm të minutës së 90, Nikaj ndëshkoi Lacin dhe i dha fitoren korçarëve, 0-1. Pas kësaj fitore, Skënderbeu merr vendin e katërt në renditje. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Mehmeti: “Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë në pjesën e dytë. Pavarësisht se Egnatia po kryeson kampionatin me meritë, mendoj se sot Dinamo meritonte fitoren. Dua të përgëzoj të gjithë djemtë dhe njëkohësisht presidentit për gjithçka që na ka dhënë. Duhet të harrojmë ndeshjen sot dhe të mendojmë për javën tjetër”.
Gozdenovic: “Sot ishte shumë e rëndësishme që të dilnim me pikë. Sot kemi marrë tre pikë të rëndësishme dhe kemi marrë një fitore të bukur. Tani është gjithçka e hapur. Djemtë meritojnë gjithçka. Të fitosh në një fushë si ajo e Lacit, tregon se ne kemi agresivitet, cilësi dhe eksperiencë. Pika jonë më e fortë është harmonia në skuadër, luajmë grup së bashku. Sigurisht që jemi në vendin e katërt dhe duam që të rrim te katër më të mirat, po tani lind problemi: “Si do të rrimë te katër më të mirat?”.