Kristjan Asllani përjetoi sot për herë të parë emocionet e shënimit të golit me fanellën e Interit. Mesfushori shqiptar shënoi golin e parë në fitoren 2-1 të zikaltërve kundër Xhenoas. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes. Asllani ka pranuar me sinqeritet se e priste prej kohësh këtë gol, të cilin ia kushton familjes dhe shokëve të tij të skuadrës.
“E dimë se është një avantazh i rëndësishëm (diferenca +15 pikë nga Juventusi). Tani na pret Bolonja, e cila është një sfidë thelbësore dhe sigurisht që duam tre pikët. Golin ia kushtoj familjes sime, por edhe djemve që më ndihmojnë çdo ditë. Nga Lautaro te Barela, të gjithë erdhën të më përqafonin. Jam i sinqertë, e prisja prej një kohe të gjatë, edhe për shkak se jam një tifoz dhe ishte e bukur. Asisti nga Sanchez? Ai është kampion, shumë i fortë, bëjmë shaka me të çdo ditë, lojtar i mrekullueshëm. Marko Arnautovic? Hyri në dhomën e zhveshjes dhe për herë të parë më tha: “Këtë herë do të shënosh ti”. Tani më duhet të bëj një dhuratë, më thanë se do të më rrahin dhe duhet t’u bëj një dhuratë të bukur”, tha Asllani mes humorit. /Sport Ekspres/