Silvinjo ishte në konferencën për shtyp, për të komentuar listën e Shqipërisë, përpara takimeve që kuqezinjtë do të kenë kundër Kilit dhe Suedisë, në miqësoret e këtij muaji. Trajneri i Kombëtares ka folur edhe sa i përket lënies jashtë të Dakut dhe Mujës.
“Daku dhe Muja jashtë? Ata janë të rëndësishëm për ne, së bashku me Gjasulën. Patjetër që i kemi në konsideratë dhe janë në planet tona. Por ne duhet të provojmë sa më shumë lojtarë në këtë moment. Nuk mund të marrim dot 30 lojtarë në këto ndeshje, duhet të marrim edhe të tjerët për t’i parë se çfarë mund të bëjnë. Kemi Manajn që vjen për herë të parë, kemi Brojën që vjen për herë të dytë, kemi Arbër Hoxhën që e kemi ndjekur prej kohësh.
Këto miqësore janë të rëndësishme, por nuk mund të them vendimtare. Ky është momenti për të provuar sa më shumë lojtarë të rinjë. Sa i përket zgjedhjeve të listës së Europianit, është një situatë delikate, por këto vuajtje do të jenë për në maj. Tani nuk e kam mendjen fare te ajo listë, jam i përqendruar vetëm te miqësoret. Do të vlerësojmë më vonë çdo futbollistë. Do të shohim, do të vlerësojmë dhe do të vendosim.
Kombëtarja është gjithmonë me derën hapur për lojtarët e rinj, nuk funksionon si klub ku ti ke 24 lojtarë, do të vazhdosh me ta derisa të hapet merkato. Hoxhën përshëmbull e kemi ndjekur prej tre muajsh dhe tani erdhi momenti i tij në Kombëtare. Ajeti dhe Ismajli janë dëmtuar, prandaj nuk kanë ardhur. Nuk e kam zakon të flas me lojtarët pasi të dalë lista. Duhet të keni parasysh që Dakun e kam sjellë unë këtu dhe e vlerësojë shumë. Mujën gjithashtu e kam sjell unë, fakti që nuk janë këtu sot, nuk do të thotë se nuk është pjesë e planeve tona. Ne luajmë për popullin shqiptar, kam punuar te Brazili dhe e di se çfarë do të thotë të jesh pjesë e Kombëtares. E vlerësojmë shumë konsideratën që kemi marrë dhe gjitha vlerësimet deri tani”, tha Silvinjo. /Sport Ekspres/