Sokol Haxhia ishte i ftuar në një bashkëbisedim me Skënder Gegën në “Soccer Talk Podcast”. Menaxheri shqiptar ka bashkëpunuar prej vitesh me klubet në Itali, vend në të cilin jeton, duke transferuar shumë lojtarë shqiptarë. Haxhia pranon se niveli i lojtarëve shqiptarë nuk është në lartësinë e duhur për të përballuar me sukses futbollin italian. Ai tregon edhe një bisedë me drejtorin e atëhershëm të Kievos.
“Drejtorit sportiv të Kievos unë i kam shitur, Memushajn dhe dy-tre të rinj të tjerë. Ai më tha: ‘Ti Sokol je si ai që para fabrikës së Mercedesit vjen na shet Fiat Panda të përdorur… dhe prapë na i shet’. Domethënë kualiteti i lojtarëve shqiptarë… Kam bërë mbi 80 transferime, ku 60 janë shqiptarë. Të kisha shitur 60 brazilian do të kisha blerë gjysmën e Shqipërisë. Nuk është për t’i ulur poshtë, por kualiteti jonë nuk është i lartë. Sasuolo ka dy shqiptarë, në vend të parafundit. Frozinone ka 2 shqiptarë që i ka marrë nga Gjermania, janë në vend të 4-t nga fundi. Leçe ka marrë Ramadanin, në vend të 5 nga fundi. Është shumë e vështirë që lojtarët shqiptarë të luajnë nëpër skuadra elitë, sepse ky është kualiteti jonë”, është shprehur Sokol Haxhia./Halit Delibashi-Sport Ekspres/