Tirana ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në ditën e sotme. Bardheblutë kanë fituar me shifrat 0-2 kundër Erzenit. Goli i parë u shënua nga Kristal Abazaj në minutën e 20. Pasi Atanda do të prekte topin me dorë, lojtari i bardhebluve shënoi nga 11-metrat.
Ndërkohë Kahrimanovic humbi rastin e artë nga penalltia për të barazuar në minutën e 54, e cila u prit nga portieri i Tiranës. Goditja e fundit mbërriti nga Jonuzi që vetëm dy minuta më vonë, barazoi shifrat. Nga krahu tjetër Skënderbeu fitoi me shifrat 0-2 ndaj Kukësit. Rashica shënoi dy gola në këtë takim dhe dërgon verilindorët me një këmbë në Kategorinë e Parë. Mjafton që Teuta të marrë një pikë në pesë ndeshje dhe Kukësi do të jetë zyrtarisht i rënë nga Superiorja. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Deliallisi: “E pësojmë golin me një brishtësi të madhe, humbim raste nga pesë metra që nuk e di si mund të gabohet. Menduam t’i përshtateshim kundërshtarit, se nuk po shënonim shumë gola. Nëse ne do të kishim shënuar sot në rastet tona, mund të kishte tjetër histori ndeshja. Jemi shumë të brishtë në mbrojtje, me një rast në portë pësojmë gol. Nuk mendoj se sot Tirana ka shënuar me meritë golin e parë, ia dhurojmë ne. Nuk do të ndryshoja asgjë në vendimet e mia sa i përket skemës dhe formacionit. Kundërshtarit nuk i duhen 10 raste apo 12 raste, me një rast na vjen dhe na ndëshkon. Merkato e janarit ishte fatale për ne, lojtarët që erdhën nuk u përshtatën dot dhe jemi thuajse me të njëjtët lojtarë që kemi qenë më parë. Mbijetesa tani duket shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur
Devolli: “Ka qenë ndeshja më e mirë që kur kam ardhur unë këtu te Kukësi, sidomos në pjesën e parë. Kemi krijuar raste njëri më i mirë se tjetri, kemi krijuar aksione ashtu siç unë kisha kërkuar. Por kemi pasur edhe pak fatin e keq te VAR pasi i kemi pasur episodet kundër. Kundër Tiranës do të luhet ndeshja e sezonit. Djemtë do të nxjerrin luanin nga brenda kundër Tiranës dhe dhimbjen e kampionatit do ta kthejmë në forcë në Kupë. E kemi nxjerrë luanin në ndeshjen e parë, do ta tregojmë prapë. Pastaj do ta shohim se kush do të qajë dhe kush do të qeshi”.
Fagu: “Erzeni humbi një penallti, fati ishte me ne sot. Shënuam golin e dytë dhe e kontrolluam ndeshjen prapë. Patjetër që na gëzon kjo fitore. Ne gjithmonë kemi pësuar gol dhe pastaj kemi kërkuar që të kthejmë rezultatin. Kur e mbaron ndeshjen me zero gola, krijohet stabilitet dhe besim. Jam i lumtur që e mbajmë portën të paprekur. Besoj se do ta kthejmë ndeshjen me Kukësin në Kupë, kemi lojtarë që janë përballur edhe më herët me të tilla situata. Dy gola janë shumë, por janë edhe pak. Derbi? Dihet që nuk mund t’ia gjesh dot rezultatin, do të bëjmë maksimumin për të fituar tre pikët që të sigurojmë Final Four”.