Vila-L është skuadra kampione e edicionit 2023-2024 në kampionatin e futbollit amator 9×9 FSHF Sunday League Albania, i pesti në histori. Finalja e madhe e këtij sezoni u zhvillua mbrëmjen e të premtes në “Shtëpinë e Futbollit”, ku Vila-L dhe Dajti u përballën në një sfidë mjaft emocionuese dhe në fund fitoi skuadra e Vila-L me rezultatin minimal 1-0.
Takimi finale u vendos nga goli i Don Mehaj, që gjeti rrugën e rrjetës që në minutat e para të takimit. Më pas sfida ishte spektakolare ku Dajti humbi disa mundësi të mira për të barazuar rezultatin, ndërsa Vila-L u tregua e kujdesshme në prapavijë dhe shpeshherë rrezikonte portën kundërshtare për të vulosur fitoren.
Takimi final u ndoq edhe nga tifozë të shumtë që kishin mbushur tribunën në “Shtëpinë e Futbollit”.
Në përfundim të sfidës është zhvilluar ceremonia e titullit, ku Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i ka dorëzuar lojtarëve të ekipit kampion trofeun dhe medaljet.
Një tjetër sezon i suksesshëm për futbollin amator, që vazhdon të ngjallë interes dhe pjesëmarrje të shtuar. Duhet theksuar fakti që regjistrimet për sezonin e ri të FSHF Sunday League janë hapur që në muajin janar të këtij viti nisur nga kërkesa e shumë skuadrave për t’u bërë pjesë e një prej kompeticioneve më të preferuara të futbollldashësve.