Spanja, kundërshtari i Shqipërisë në EURO24, është në telashe serioze. Pas skandaleve të ndodhura me ish-presidentin Luis Rubiales, Qeveria e Spanjës vendosi që të krijonte një komitet për të mbikëqyrur punën e Federatës së Futbollit.
Por kjo është një ndërhyrje e pastër e politikës në botën e futbollit dhe është tërësisht e palejueshme. Për këtë arsye, UEFA dhe FIFA i kanë dhënë kohë Spanjës deri të premten për të treguar shpjegimin e bazës ligjore mbi të cilën është emëruar ky komision, përbërjen e organit, kompetencat e tij dhe marrëdhënien që ka me organet ekzekutive të Federatës Spanjolle të Futbollit.
Nëse përgjigjet e ardhura nuk janë të kënaqshme, pasojat do të ishin fatale për Spanjën, ashtu siç ishin edhe me Rusinë. Thuhet se Kombëtarja e Spanjës mund të përjashtohet nga Europiani, klubet spanjolle mund të përjashtohen nga UEFA dhe Spanja mund të largohet nga gara për të pritur Kupën e Botës në vitin 2030 pasi nuk lejohet ndërhyrja e politikës në sport. /Sport Ekspres/