“Abissnet Superiore” ka njohur sot fituesin e saj të këtij edicioni. Egnatia ka mposhtur Partizanin në finalen e “final four”-it, duke siguruar trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Rrogozhinasvve u ka mjaftuar goli i shënuar nga Ibrahimogluja në minutën e 35 të takimit për të mposhtur kampionët në fuqi të Superiores.
Partizani u përpoq të ndryshonte fatin e takimit, por në fund nuk arriti t’ja dilte dot. Egnatia ka shkruar kështu historinë, teksa për të parën herë në historinë e saj fiton titullin kampion në elitën e futbollit shqiptar. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Tetova (Egnatia): “Të dyja kupat nuk ishim objektiv, por sipas ecurisë menduam që “përse jo?”. E pata deklaruar që është lojë episodesh. Edhe ne kishim mundësi me skemat që kishim përgatitur. Goditëm edhe shtyllën. Unë doja të fitoja duelet në mesfushë. E menaxhuam mirë, por normalisht që edhe Partizani kishte rastet e veta. Ia dedikoj trofeun familjes sime, sepse jam pak i pranishëm në familje. Së dyti ia dedikoj edhe Zallës. Vetëm Fernando do të largohet, nuk ka tjetër. Kemi dy oferta për dy lojtarë të tjerë, por duhet të rrimë me këmbë në tokë”.
Shehi (Partizani): “Mërzitja është prezente. Po të kishim shënuar, ndeshja do të kishte marrë drejtim tjetër. Pësuam një gol të evitueshëm. Patëm rastet tona. Presioni në ndeshje të tilla është i madh. Ndoshta ndikoi te lojtarët në pjesën e parë. E thashë në konferencën për shtyp që episodet do të vendosin dhe ashtu ndodhi. Pësuam me një rast. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të qajmë ato rastet e humbura. Do ta pranojmë, nuk kemi ç’të bëjmë. Nuk e durojmë dot, por do ta pranojmë.”/Halit Delibashi-Sport Ekspres/