Në momentin kur Silvinjo shpalli listën provizore të EURO24, e gjithë vëmendja shkoi te emri i Medon Berishës. Sigurisht që edhe rikthimi i Amir Abrashit ishte i befasishëm, por kapiteni i Shqipërisë U-21 e gjeti veten papritur në listën e Silvinjos.
Këtë vendim të Silvinjos nuk e priste as vetë futbollisti. Vetëm pak ditë më parë Berisha u shpreh në mediat italiane se e ëndërronte Shqipërinë A, por nuk e priste një ftesë pasi sipas tij rrugëtimi në Europian ishte bërë dhe shpresat ishin zeruar.
Por jo për trajnerin e Kombëtares, që e mori me vete në Gjermani, të paktën kështu pritet. Madje duke e krahasuar edhe me rastin e Mario Mitajt. Por kush është Medon Berisha? Më herët i kërkuar edhe nga Zvicra, Medoni dëshirohej edhe nga Kosova, por në fund zgjodhi Shqipërinë.
I rritur tek akademia e Young Boys, më pas mesfushori do të bënte kalimin te Lecce. Në këtë sezon Berisha ka qenë në stol thuajse në gjithë sezonin në Serinë A. Trajneri D’Aversa zgjodhi që ta aktivizonte vetëm në një takim, në përballjen e Kupës së Italisë, atje ku Lecce humbi 2-4 ndaj Parmës.
“Medon Berisha ishte më i miri në fushë. Ka treguar se nuk është si lojtarët e tjerë që vijnë nga Primavera”, tha D’Aversa, që gjithsesi, edhe pas asaj ndeshje, nuk i besoi më shqiptarit. Por në merkaton e dimrit, pavarësisht ofertave të shumta të huazimit që vinin nga Serie B, Lecce e mbajti Berishën pasi beson shumë te ky futbollist.
Menjëherë pasi D’Aversa u shkarkua dhe në ekip mbërriti Luka Goti, gjëja e parë që trajneri bëri ishte besimi i dhënë te mesfushori 21-vjeçar. “Berisha ka pasur pak hapësira, por mua më pëlqen shumë si lojtar. E konsideroj një djalë me perspektivë të madhe. Ai është 21 vjeç, nuk është aspak i ri. Është i ri në aspektin e rrugëtimit të tij”, tha Goti në deklaratat e tij të para si trajner i Lecce.
Ndryshe nga D’Aversa, vlerësimin e tij, Goti e tregoi edhe në fushë duke i besuar shumë minuta Medon Berishës. Ky i fundit është një lojtar që i përafrohet shumë stilit të lojës së Kristjan Asllanit. Shpeshherë e gjen duke bërë pasime të thjeshta, por që janë kaq shumë të rëndësishme për lojën e ekipit dhe shumë herë e mban topin në këmbë edhe me vetbesim të tepruar, duke dalë nga zona që në pamje të parë janë të pamundura pasi je i rrethuar me shumë kundërshtarë. Gjithashtu ashtu si Asllani, Medoni ka si pikë të fortë vertikalizimin dhe gjetjen e korridoreve, shpeshherë në distanca të largëta. Ndërkohë pika e tij më e dobët është loja në ajër dhe minutat e pakta të luajtura në futbollin profesionist. Sa herë që ekipi i tij humbet, Medoni nuk shihet në fushë për t’u përpjekur që të ndryshojë situatën. /Sport Ekspres/