Shqipëria do të nis aventurën e saj në Europian kundër Italisë. Kuqezinjtë do të provojnë gjithçka kundër “axurrëve”, që të marrin fitoren e parë dhe të ëndërrojnë për të shkuar më larg të jetë e mundur në turneun që do të zhvillohet në Gjermani.
Dihej që në momentin e parë kur u vendos ky Europiani që do të zhvillohej në Gjermani, se nëse Shqipëria do të shkonte, do të ishte mes Kombëtareve me mbështetjen më të madhe. Armand Duka, kreu i FSHF dhe zëvendës presidenti i UEFA-s u shpreh se dy ndeshjet më të kërkuara për bileta në grupet e Europianit ishin Zvicër-Gjermani dhe Shqipëri-Itali.
Kjo tregon saktësisht se çfarë mbështetje të madhe kanë kuqezinjtë tanë në Gjermani. Ndërkohë tanimë është “Sky Sport”, media italiane, që tregon humbjen e parë që kanë pësuar nga shqiptarët. Bëhet fjalë për humbjen në tribuna, ku dukshëm është një dominim i të kuqëve.
Stadiumi i Dortmundit ku do të zhvillohet ndeshja jonë ndaj Italisë ka kapacitet prej 81.000 vendesh. Nga këto, 50.000 bileta janë blerë nga shqiptarët, ndërsa 31.000 bileta janë marrë nga italianët. Një numër jo i pakët i biletave të marra nga italianët, do të rezultojnë që janë të marrë nga po shqiptarët. Këto statistikat vijnë nga “Sky Sport”, që përveç habisë së madhe për këtë dominim, ia bën të qartë italianëve se kjo nuk është një ulje interesi e italianëve për Kombëtaren, por Shqipëria është mes atyre Kombëtareve që do të ketë mbështetjen më të madhe në Gjermani.
Në Itali e kanë zbukuruar, por në fakt në Gjermani, Shqipëria do të jetë Kombëtarja që do të ketë mbështetjen më të zjarrtë dhe më të shumtë në numër. Një motiv shtesë ky për djemtë e Kombëtares që stadiumet në Gjermani do t’i kenë si në Tiranë, për të provuar gjithçka munden që të shkruajnë historinë me gërma të arta. /Sport Ekspres/