Shqipëria ka fituar me shifrat 2-0 kundër Finlandës. Ernest Muçi dhe Manaj tundën rrjetën për të siguruar 3 pikët për kuqezinjtë. Pas përfundimit të lojës, trajneri dhe lojtarët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “TV Klan”-it.
Laçi: “Kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë. Ndonjëherë në zonë duhet të jem më i qetë. Mund të kisha bërë gola? Jam dakort, atë po mendoj. Rasti i humbur ishte pasim. Ishte pasim për Dakun. Nuk u mërzita që nuk shënova. Nuk mërzitem kurrë. Rëndësi ka fitorja, goli është bonus për mua. Përveç fitores kemi treguar një futboll shumë të mirë. Edhe ju nga jashtë besoj se jeni dakort me mua.
Ndryshimet mes Shqipërisë së Silvinjos dhe asaj të Maranit? Kjo ishte ndeshja ime e parë zyrtare me Maranin. Ndeshjet e qershorit ishin miqësore. Nuk është mirë për ta thënë, por ne si lojtarë nuk ishim në nivelin e duhur. Tani në ndeshjet që po bëjmë mundohemi sa kemi mundësi që të bëjmë një futboll të bukur. Duhet të jemi gjithmonë të fortë në mbrojtje, por po punojmë me çunat me sulmin, që të shënojmë sa më shumë të kemi mundësi”.
Ramadani: “Sot ishim shumë të motivuar. Jemi të motivuar që nga ndeshja e fundit me San Marinon, pasi nuk bëmë një ndeshje të mirë. Kemi folur me çunat dhe thamë që këtë ndeshje duhet të luanim më mirë. Trajneri më thirri në minutën e 25 dhe më tha që t’i nxirrja Asllanin dhe Laçin si numër “8” dhe që unë të rrija para mbrojtjes për të mbrojtur më shumë. Me trajnerin e ri jemi shumë mirë, pasi sulmojmë shumë. E dimë shumë mirë si të sulmojmë dhe çfarë do të bëjmë. I dimë të gjitha. Jam shumë i mërzitur që mora kartonin e verdhë, por do t’i mbështes çunat ndaj Bjellorusisë”.
Maran: “Duhet ta shijojmë fitoren tani dhe nesër të fokusohemi te Bjellorusia. Sot i kemi bërë të lumtur tifozët, jo vetëm me rezultatin, por edhe me mënyrën se si luajti skuadra. Në momentin qe jemi duke mbrojtur duhet të përdorim karakteristikat tona për të qenë efikas. Paraqitje të mira nga Pilo? Nuk është vetëm Pilo, por edhe lojtarë të tjerë që kanë bërë paraqitje shumë të mirë. Hysaj nga krahu tjetër, por edhe Mitaj. Mitaj po bën një rol që nuk e ka bërë shumë më parë, pasi po ndihmon edhe në qendër.
Ndaj Finlandës nuk ishte një paraqitje e lehtë. Ne jemi një skuadër që nuk duhet të jemi pasivë. Duhet të jemi gjithmonë duke e vënë në presion kundërshtarin. Kur e ulim ritmin i japim hapësirë kundërshtarit. Kjo ndodhi në 10-15 minutat e fundit të pjesës së parë. Kemi bërë shumë prekje topi në zonën kundërshtare. Kemi dalë përpara me shumë lojtarë. Kemi luajtur shumë në zonën kundërshtare në një ndeshje që ishte e ekuilibruar.
Goli i Muçit? Ishtë një gol i bukur. I vështirë për t’u realizuar. Por nuk u surprizova, pasi ai i ka tipik gola të tillë. Ai ndihet i rëndësishëm në këtë Kombëtare, siç ndihen edhe lojtarë të tjerë. Ndoshta kishte nevojë për një shtysë të tillë. Nuk është e lehtë të zgjedhësh një formacion. Laçi është shumë i rëndësishëm dhe jam i kënaqur me mënyrën se si e interpretoi lojën. Për të ishte ndeshja e parë në Ligën e Kombeve dhe gjeti menjëherë përshtatjen e duhur”.
Muçi: “Sot kemi bërë një nga ndeshjet më të mira. Le të vazhdojmë kështu. Më pëlqen më shumë t’ja lë topin mesfushorëve dhe ta marrë në zona të rrezikshme, se sa të bëj pasime pa rrezikshmëri. Për mua është momenti më i mirë. Tani ndjej besimin nga shokët e skuadrës dhe nga trajneri. Kam kaluar shumë gjëra për të arritur deri këtu”.
Berisha: “Kemi një ekip shumë të mirë. Po punojmë së bashku për të arritur diçka të rëndësishme. Hera e fundit që kam pësuar gol? E Prisha këtë javë. Kisha një rekord shumë të mirë pa pësuar gol. Jemi një ekip që dëshirojmë vërtetë të rritemi dhe të kualifikohemi pastaj. Ne e dimë që jemi një ekip solid. Ekipet e tjera e kanë të vështirë të na bëjnë gol. Në minutat e fundit nuk u sforcuam shumë, pasi kundërshtari po luante me 10 lojtarë. Kemi bërë shumë eurogola. Jemi ekipi më i mirë në Europë për eurogola”./Sport Ekspres/