Ka përfunduar përballja mes Italisë dhe Shqipërisë. Kuqezinjtë debutuan me humbje në Euro 2024. Me stadiumin e mbushur me ngjyrat tona kombëtare, Bajrami ndezi edhe më tepër atmosferën, teksa në sekondën e 24-t e dërgoi topin në rrjetë. Një gol që e fut Shqipërinë në histori, duke qenë goli më i shpejtë i shënuar ndonjëherë në historinë e një Kampionati Europian.
Por festa e shqiptarëve nuk zgjati shumë. Bastoni barazoi rezultatin në minutën e 11, ndërsa vetëm 5 minuta më vonë Barela përmbysi shifrat. Më pas axurrët ulën dukshëm ritmin e lojës, duke administruar rezultatin, i cili mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Cvajer. Përballja e radhës për kuqezinjtë do të jetë kundër Kroacisë më 19 qershor, duke nisur nga ora 15:00. Më poshtë ndiqni intervistat e protagonistëve.
Asllani: “Kemi pasur atë rastin e fundit dhe nuk barazuam dot. E gjetëm golin shpejt me një gol të bukur të Bajramit. Për mendimin tim u ulëm shumë mbrapa. Italia e mbajti topin shumë mirë, sepse janë ata kampionët. Kemi qendruar në lojë deri në fund. Por nuk gjë, do të shohim përpara, kemi ndeshjen tjetër. Më vjen keq vetëm për tifozët. Ata sulmonin me shumë vetë, ishte shumë e vështirë për mua dhe Ramadanin. Po vraponim shumë kot, sa majtas, sa djathtas. Jemi lodhur shumë. Por të jemi grup dhe të mendojmë për ndeshjet e tjera. Mund të them që më vjen shumë keq që nuk i dhamë një rezultat pozitiv tifozëve. I falenderoj me zemër të gjithë. Shpresoj të jenë edhe në dy ndeshjet e tjera”.
Bajrami: “E kemi dikur të gjithë që Italia është shumë e fortë. Të gjithë çunat bënë maksimumin. Ne do të luftojmë për çdo pikë dhe për çdo top. Jemi krenarë që jemi në Europian. Kemi disa ditë për ndeshjen me Kroacinë. Do të shikojmë videot se çfarë kemi bërë keq dhe çfarë kemi bërë mirë. Asllani dha një top shumë të mirë dhe Manaj e pati shansin e tij, por kështu e ka futbolli”/Halit Delibashi-Sport Ekspres/