Elseid Hysaj ishte në shënjestër të kritikave të tifozerisë shqiptare pas humbjes me Italinë. Ulja e kokës në rastin e golit të dytë solli një lumë ironish në rrjetet sociale, duke bërë që kjo situatë të ndikojë edhe te vetë lojtari. Ylber Ramadani ka thënë në studion e emisionit “Euro Dueli” në “RTV Dukagjini” se sulmimi që i është bërë mbrojtësit shkodran është i papranueshëm për të. Mesfushori i Leçes ka treguar se Hysaj ishte shumë i demoralizuar nga kritikat dhe është dashur edhe ndërhyrja e Silvinjos dhe Armand Dukës për ta qetësuar.
“Kurrë në historinë e futbollit shqiptar, apo të Kombëtares shqiptare, nuk kam parë të sulmojnë një njeri si kanë sulmuar Elseid Hysajn. E kanë sulmuar atë, familjen, me gjërat më të këqija që mund të sulmojnë një njeri. Unë e kam shok, e kam koleg. Të nesërmen kam shkuar e kam takuar dhe ai më ka thënë: “O vëlla, ai është instikt i futbollit”. Ai nuk ka qejf të lërë golin vetë, sepse ne të gjithë fitojmë në rast rezultati pozitiv. Ishte shumë i demoralizuar. Dy ditë kanë qenë shumë të vështira për të, sepse nuk hapje dot telefonin, pasi të dilte Elseidi pa pikë faji. Mënyrën se si u sulmua Elseid Hysaj unë nuk e pranoj. Nesër mund të më ndodhë edhe mua ajo gjë. Më pas trajneri ka biseduar me të. Ka biseduar edhe presidenti. E kanë qetësuar”, ka treguar Ylber Ramadani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/