Shqipëria është eliminuar nga Europiani i Gjermanisë që pas fazës së grupeve. Tifozët dhuruan spektakël të vërtetë në shkallët e stadiumit, teksa dyndën të gjitha sheshet ku luante Shqipëria. Një paraqitje mbreslënëse e tifozëve tanë që treguan këtë herë me fakte se janë më të mirët në Europë.
Në datën 8 qershor, Shqipëria mbërriti në Qendrën Sportive të Kaiserau, atje ku u akomodua për t’u përgatitur për Europianin. Por për fatin e keq, qëndrimi atje nuk zgjati më shumë se dy javë e gjysmë.
“Ti ishe shtëpia e ëndrrave tona. Faleminderit Kaiserau”. Shqipëria la këtë mesazh para nisjes për në shtëpi dhe presidenti i FSHF, Armand Duka, i falënderoj të gjithë pa masë: “Ju keni qenë aty për ne gjatë gjithë kohës. Fusha ishte perfektë, i gjithë stafi ishte miqësor. Keni një ekip të shkëlqyer dhe kjo është një tjetër arsye se pse do të donim të kishim qëndruar më gjatë”, tha Duka.
Por jo vetëm Duka dhe Shqipëria, edhe në krahun e gjermanëve, do të donin që Shqipëria të mos eliminohej kaq shpejtë. “Shqiptarët ishin thjeshtë kaq shumë të këndshëm”, tha një pjesëtar i qendrës stërvitore në Kaiserau.
“Të them të drejtën, nuk e njihja fare Shqipërinë më parë. Por më pas menduam të shkonim dhe të shikonim se çfarë po ndodhte në lagjen tonë, tani unë jam një fans i Shqipërisë”, tha një banor që në ndodhej afër me vendin ku Shqipëria po kryesonte stërvitjen.
E entuziazmuar ishte edhe kryetarja e Kamenit, Elke Kappen. Si përfaqësuese e qytetit, ajo mirëpriti Shqipërinë në 8 qershor dhe i dhuroi secilit lojtar nga një shallë miqësie. Të gjithë kryqëzuan gishtat për vazhdimin e Shqipërisë më tej, por ishte e kot. “Është turp që përfundoi kaq herët për Shqipërinë, tani është koha të pastrojmë”, tha kreu i Qendrës Sportive në Kaiserau, Benjamin Schëartz, i cili ishte shumë krenar për ekipin e tij dhe mënyrën sesi e mirëpriti Shqipërinë.
Dhe në fund, artikulli i medias gjermane mbyllet duke shkruar në gjuhën shqipe: Shihemi përsëri Shqipëri”. Ndoshta kemi kaluar pa lënë gjurmë në rezultate, por sjellja e Shqipërisë dhe e tifozëve tanë ka bërë që gjithë Europa të dëgjojë zërin e shqiptarëve dhe kjo është padyshim fitorja më e madhe. /Sport Ekspres/