Anglia nuk heq dorë nga Tuchel! Nuk ka shkarkim, besojnë se do të fitojnë Europianin me të në stol

Pavarësisht humbjes së dhimbshme 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës dhe kritikave të shumta që pasuan, Thomas Tuchel do të vazhdojë të jetë në krye të kombëtares së Anglisë. Federata Angleze e Futbollit (FA) nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime në pankinë dhe vazhdon t’i japë mbështetje të plotë trajnerit gjerman.

Pas eliminimit, shumë ish-futbollistë, analistë dhe tifozë kritikuan zgjedhjet taktike të Tuchelit, sidomos vendimin për ta tërhequr skuadrën në mbrojtje pasi Anglia kaloi në avantazh. Megjithatë, drejtuesit e FA-së besojnë se ai mbetet njeriu i duhur për të udhëhequr “Tre Luanët” në projektin afatgjatë.

Vetë Tuchel ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ai mori përgjegjësinë për humbjen ndaj Argjentinës, por theksoi se skuadra ka treguar progres gjatë turneut dhe se objektivi i radhës është ndërtimi i një ekipi edhe më konkurrues për Kampionatin Evropian 2028.

Federata Angleze e sheh Tuchelin si trajnerin që mund ta rikthejë Anglinë te një trofe madhor pas dekadash pritjeje. Për këtë arsye, besimi ndaj tij nuk është lëkundur nga eliminimi në Botëror, ndërsa kontrata e tij mbetet në fuqi deri pas Euro 2028. Në ambientin e kombëtares angleze ekziston bindja se vazhdimësia në stol është çelësi për të ndërtuar një skuadër fituese dhe për të synuar triumfin në Evropianin e ardhshëm. /Sport Ekspres/