Armand Duka ka dhënë një intervistë për median italiane “SportItalia”. Kreu i FSHF ka folur për gjithçka sa i përket eksperiencës që ne kemi kaluar në Europianin e Gjermanisë. Gjithashtu është prekur në veçanti tema e dy talenteve të Shqipërisë, Kristjan Asllani dhe Armando Broja. Për Dukën, Asllani ishte lideri dhe lojtari më i mirë i Kombëtares në këtë turne, ndërsa për Brojën, transferimi te Milani do të ishte ideali.
“Kombëtarja shqiptare ka treguar paraqitje të mira në këtë kampionat europian me të cilat duhet të krenohemi, edhe pse u gjendëm në të ashtuquajturin “grupi i ferrit”. Dua të falënderoj të gjithë lojtarët që kontribuan në fazën kualifikuese dhe Ata që morën pjesë në fazën finale të turneut, mendoj se luajtëm mirë në të tria ndeshjet e grupeve, nuk jam i kënaqur vetëm me rezultatet, por edhe me faktin se mund të kishim arritur më shumë. Italia, Kroacia dhe Spanja, ne krijuam mundësi golash dhe raste për të marrë më shumë pikë dhe ishim në garë për t’u kualifikuar deri në ndeshjen e fundit. Mund të kishim përparuar në grup me pak më shumë fokus dhe inteligjencë, por përvoja është shumë e vlefshme në këtë nivel për të menaxhuar situatat ku presioni është shumë i lartë. Pa harruar tifozët shqiptarë, të cilët ishin fantastikë në Euro 2024, duke mbështetur skuadrën pa u frenuar si asnjë tifoz tjetër në këtë kampionat europian. Krijuan një atmosferë të pabesueshme brenda dhe jashtë stadiumeve. Kontrata e trajnerit mbaron pas Europianit, por ne i propozojmë një rinovim që nga janari. Mendoj se do ta finalizojmë së shpejti, duam të vazhdojmë bashkëpunimin. Sylvinho shkoi me pushime për disa ditë dhe javën e ardhshme do të takohemi sërish për të diskutuar këtë temë dhe për të vazhduar punën.
Për mua, Asllani ishte padyshim lojtari më i mirë i kombëtares shqiptare në Kampionatin Evropian. Ai u tregua një nga elementët kyç të skuadrës dhe mori kontrollin e lojës sikur të ishte një veteran me përvojë. Ai është një nga talentet më premtues të Shqipërisë, ka potencial të jashtëzakonshëm. Atij nuk i mungojnë cilësitë teknike, vizioni i lojës dhe ambicia për t’u bërë një lojtar i madh. Në Euro 2024, ai u tregua jo më pak se emrat e mëdhenj të futbollit evropian. Ai është ende i ri dhe ka të gjitha shanset për t’u bërë lider i kombëtares shqiptare.
Armando Broja është padyshim një nga talentet më të mëdhenj në të gjithë historinë e futbollit shqiptar. Unë jam tifoz i Milanit (qesh) dhe nëse Broja do të mbërrinte në Milanello do të isha dyfish i lumtur. Do të ishte padyshim lëvizja më e mirë dhe më e fortë që Milani mund të bënte në merkaton e verës. Djali ka talent të jashtëzakonshëm dhe mendoj se ende nuk ka treguar më të mirën. Ai duhet të luajë në nivel klubesh dhe mendoj se Serie A dhe Milan paraqesin një mundësi të shkëlqyer për të që të ngjitet në majat e futbollit evropian. Do të jetë një nga sulmuesit më të mirë në Evropë. Jam i bindur se ai është gati të provojë një eksperiencë në futbollin italian dhe nëse kjo ndodh mendoj se do të jetë një sukses”, tha Duka. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/