Asambleja e mbajtur më 29 maj të këtij viti nga KOKSH-i është e pavlefshme. Gjykata e Shkallës së Parë e rrethit gjyqësor Tiranë ka refuzuar njohjen e Asamblesë së Zakonshme. Ky institucion e ka cilësuar joligjore këtë proces të KOKSH-it, duke kundërshtuar kështu regjistrimin e tij.
Më herët edhe KAS-i i kishte konsideruar të pavlefshme zgjedhjet e bëra nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ku u largua në kundërshtim me statutin presidenti Viron Bezhani. Pavarësisht këtij vendimi, KOKSH-i vendosi që më 29 maj të organizonte Asamblenë e Zakonshme, e cila tashmë u hodh poshtë nga Gjykata e Tiranës. Kjo e fundit, siç raporton “Supersport”-i, me vendimin e marrë më 19.7.2024 ka gjykuar se “kërkesa e Presidentit Fidel Ylli për regjistrimin e vendimeve dhe Asamblesë së Përgjithshme të datës 29 maj, është e pabazuar në ligj dhe në statut, ndaj edhe është refuzuar”./Sport Ekspres/