Thomas Strakosha ka pësuar golin më të turpshëm dhe të pafat në karrierën e tij. Gardiani shqiptar ka marrë një gol nga portieri kundërshtar i ekipit armen, Noah. Një peshë e rëndë mbi supet e portierit të Shqipërisë, që aventurën e re e ka nisur mes ekstremeve, paraqitjeve të dobëta dhe ato fantastike.
Por vërtet për t’u vlerësuar ishte autori i golit, portieri kundërshtar i ekipit armen, Candarevic, që kërkoi të hiqte përgjegjësinë e Strakoshës mbi këtë gol të pësuar duke e ditur fare mirë mënyrën sesi ndihet shqiptarit.
“Unë u nisa të gjeja sulmuesin tonë me topin e goditur. Gjuajta shumë fortë dhe me ndihmën e erës, topi shkoi shumë larg. Për Strakoshën ishte shumë e vështirë, mënyra e kërcimit të topit dhe prandaj shkoi në rrjetë. Unë vetë u habita me atë që bëra, isha në shok, nuk e kam kuptuar akoma se çfarë kam bërë.
Ishte hera e parë që shënoj gol dhe jam i lumtur, më parë vetëm kam asistuar. Më duhet pak kohë për të kuptuar se çfarë bëra. Por vetëm ne portierët e dimë sesa e vështirë është të reagosh në situata të tilla, kur nuk di se çfarë të bësh teksa topi kërcen. Për mua nuk ishte faji i Strakoshës”, tha Candarevic. /Sport Ekspres/