Shqipëria do të përballet kundër Moldavisë në transfertë. Në këtë ndeshje pritet që të vendoset zyrtarisht edhe kualifikimi i kuqezinjëve në Europianin e Gjermanisë. Ndërkohë emisioni “Koha Shtesë”, ka arritur që të shkëpus një intervistë me trajnerin e Moldavisë, Kleshenko, i cili ka vlerësuar jo pak Shqipërinë. (Në videon më poshtë mund të ndiqni intervistën e plot)
“Kur u hodh shorti i kualifikueseve, Cekia dhe Polonia ishin favorite për të kaluar më tej. Megjithatë ata e dinin fare mirë se ishte edhe Shqipëria në lojë për t’u kualifikuar. Shqipëria e meriton vendin e parë, është një ekip stabil, i shpejtë, me lojtarë që kanë aftësi të madhe teknike dhe mbi të gjitha, një trajner, që diti të bashkonte ekipin. Të kualifikohet Shqipëria dhe Moldavia? Në futboll, është gjithçka e mundur.
Por ne nuk ëndërrojmë, duhet ta marrim çdo ndeshje, si të jetë ndeshja jonë e fundit. Ne po bëhemi gati për Shqipërinë. E kujtojmë ende sesa e vështirë ishte ndeshja për ne në Tiranë. Aty jemi mundur dhe tani do të bëjmë gjithçka për të dalë me rezultat pozitiv kundër Shqipërisë. Kë lojtar do ta doja nga Shqipëria te Moldavia? Keni lojtarë të mirë, por asnjë nuk do të merrja nga Shqipëria, më mjaftojnë lojtarët e mi”, tha mes krenarisë Kleshenko. /Sport Ekspres/