Emisioni Koha Shtesë është tashmë ndërkombëtar, me intervista jo vetëm me lojtarë të Shqipërisë, por edhe me lojtarë dhe gazetarë të huaj sa i përket temës dhe profilit tonë kryesor, Kombëtares. Këtë herë kemi zgjedhur që të intervistojmë lojtarin e Kecskemeti, që ndodhet në elitën e Hungarisë, Matheus Leoni. Braziliani ka luajtur më parë në të njëjtin ekip me Jasir Asanin, Kisvardën, ka pasur si kundërshtar dhe ka luajtur kundër Ylber Ramadanit dhe sigurisht ka një lidhje për shkakun e origjinës së tij me trajnerin Silvinjo. (Videon e plotë të intervistës e gjeni më poshtë)
“Nuk kam luajtur me ose kundër ndonjë lojtari me këmbën e majtë më të mirë se Jasir Asani. Ndoshta ka pasur disa që kanë qenë afër nivelit të Asanit, por më mirë se këmba e majtë e Asanit jo, po ju tregoj të vërtetën. Asani është lojtari me këmbën e majtë më të mirë që unë kam parë në jetën time.
Për mua nuk është rastësi që Asani po paraqitet kështu me Shqipërinë. Kur ishte te Kisvarda, Asani gjithmonë pas stërvitjes me ekipin, stërvitej edhe individualisht. Godiste vazhdimisht drejt portës, provonte goditjet e dënimit dhe gjuajtjet nga larg, pra nuk është rastësi që tani është kthyer në këmbën e majtë më të mirë në Europë.
Unë e thërras gjithmonë Asaninho dhe jo Asani. Për mua është më shumë si një lojtar nga Brazili. Jo vetëm për cilësitë, por është pak a shumë si ne brazilianët nga emocionet që ka, nga ambiciet dhe stili i lojës, do driblimin, lojën një kundër një dhe finalizimin. Prandaj e thërras Asaninho”, tha Matheus Leoni. /Sport Ekspres/