“Në ‘Air Albania’ kam mbajtur për herë të parë rrjetën të paprekur”, portieri i Gjeorgjisë: E di që tribunat do të jenë plot, por dua kujtime të bukura nga ky stadium

Shqipërinë e pret mbrëmjen e nesërme një sfidë e vështirë. Kuqezinjtë do të përballen me Gjeorgjinë, e cila po përjeton një formë tejet pozitive. Interesi për këtë ndeshje është mjaft i lartë, teksa janë shitur të gjitha biletat në stadiumin “Air Albania”. Portieri i Gjeorgjisë ka pranuar se është në dijeni të këtij fakti dhe se pret një ndeshje të vështirë. Mamardashvili ka deklaruar në konferencë për shtyp se në “Air Albania” ka mbajtur për herë të parë rrjetën të paprekur me fanellën e Kombëtares dhe se shpreson që të dalë përsëri me kujtime të bukura nga ky stadium.

“Të luash si mysafir nuk është asnjëherë e lehtë dhe presim një ndeshje të vështirë edhe nesër. E dimë që të gjitha biletat për ndeshjen janë shitur dhe tribunat do të jenë plot. Megjithatë, ne do të bëjmë maksimumin për të pasur sukses.

Arrita të ruaj portën të paprekur për kombëtaren gjeorgjiane për herë të parë në Shqipëri. Unë sapo kisha filluar karrierën time evropiane atëherë. Pas kësaj, mendoj se kam fituar mjaft përvojë. Shpresoj që të luajmë si kundër Çekisë, të fitojmë dhe të kem kujtime të mira nga ky stadium”, ka deklaruar Xhorxhi Mamardashvili./Halit Delibashi-Sport Ekspres/