Ilir Daja ka debutuar në një ndeshje të çmendur me Dinamon në këtë sezon të ri. Një barazim 2-2 shumë emocionues kundër Partizanit. Mandela kaloi në avantazh Dinamon në minutën e 5, ndërsa Bintsouka barazoi gjithçka në të 31.
Kur pritej mbyllja e ndeshjes, Rrapaj dhuron një silurë nga distanca për t’i dhënë avantazhin Partizanit. Ndërkohë Vila riktheu baraspeshën në të 95 për të nisur festën e çmendur së bashku me Ilir Dajën. Nga krahu tjetër Elbasani ka fituar 1-0 ndaj Laçit falë golit të Ze Gomesh në minutën e 72. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për RTSH Sport:
Veselinovic: “Pajtohem me të gjitha që ishte ndeshje interesante, me shumë emocione dhe me katër gola. Ndeshja sjell situata të tilla, është mëse e qartë që ekipi ynë është shumë i ri. Jo vetëm për situatën që konkretizoi Dinamo në gol, në pjesën e dytë dhe do të veçoja edhe disa minuta në të parën. Ne na mungon pak eksperienca për të kontrolluar gjërat.
Normalisht këto janë situata që i bie loja e futbollit. Kishim pjesë të mira në pjesën e parë që i dominuam, ndoshta nuk u përgjigjëm mirë në pjesën e dytë. Normalisht pasi shënuam të dytin mund dhe duhej të reagonim më me përvojë në minutat që kishin mbetur. Duhet ta theksoj se kishim mundësi që goditëm shtyllën, kishin edhe ata rastet e tyre dhe nëse e shohim në kompleksitet, barazimi është rezultati më real.
Mungesë përqendrimi? Normalisht pas ndeshjes mund të diskutojmë, por jemi me kokën e nxehtë, do duhej pak kohë për të marrë përfundimin e saj. Por duke filluar duke e gjetur gabimin që nga vetja.
Ndeshja të tregon vetë në disa situata si të reagosh. Duke bërë një shkëputje, dua të falënderoj lojtarët për mundin dhe tifozët për gjatë 90 minutave”
Daja: “Mirë se ju gjeta! Na duhet të krijojmë qëndrueshmëri në lojë dhe pikë. Në dy ndeshjet e fundit janë marrë 4 pikë. Barazimi i sotshëm ka shumë vlera. Partizani dhe Egnatia janë 2 ekipe që kanë pikësynim marrjen e kampionatit. Bashkë me ndonjë ekip tjetër. Rikthehem në shtëpi. Pavarësisht se kam pasur shumë shtëpi, ku kam shkuar si mysafir dhe kam dalë si familjar. Rikthehem në momentin e duhur për të nisur një cikël. Vështirësitë i bëjnë gjërat edhe më të bukura.
Presioni është gjithmonë. Kam drejtuar ekipet e elitës në futbollin shqiptar. Dinamo është ekipi i dytë më i titullar, duhet ta menaxhojmë presionin. Duhet shpërndarë, në futboll nuk flitet me unë, në futboll flitet me ne. Duhet shpërndarë presioni. Vetë futbolli është lojë që presionin e ka brenda. Unë jam tip që edhe kur s’ka presion e krijoj ndonjëherë vetë.
Kjo Dinamo, edhe kjo lojë e sotme, gjithë merita i takon lojtarëve. Brenda një javë nuk mund të bësh shumë gjëra. Me plotësimin e grupin, edhe me ndonjë element tjetër cilësor, me ardhjen e kondicionit të Alijit dhe Tolit. Me rikthimin e Gudiamit, Qefalisë, do të kemi më shumë mundësi zgjedhje. Rivaliteti mund të japë shtysë më të madhe”.