Të gjithë i frikësohen Ilir Dajës! Trajneri i Dinamos e gjen “shkopin magjik”, Final Four që në javën e 4 të Superiores

Në ditën e djeshme Sport Ekspres ka bërë një analizë duke renditur disa arsye se përse ky edicion i Superiores do të jetë më atraktiv për t’u parë dhe më i ndezur. Një nga arsyet kryesore që ne renditëm ishte edhe afrimi i Ilir Dajës. Në analizë cekëm faktin se pavarësisht formulës me Final Four, për faktin se Daja konsiderohet për shumëkënd si trajneri më i mirë shqiptar, të gjithë trajnerët e ekipeve kundërshtare në Superiore do të motivojnë ekipin e tyre si për ta luajtur një finale dhe për të mundur Ilir Dajën, jo vetëm Dinamon sepse kjo fitore u shijon ndryshe. Këtë e tregoi më pas qartësisht ndeshja Partizani-Dinamo. Në deklaratët para ndeshjes, te Partizani thanë se Ilir Daja nuk ka shkopin magjik dhe nuk prisnin një Dinamo ndryshe. Pavarësisht se Dinamo nuk mund të ndryshonte rrenjësisht, impakti Daja mbërriti.

Në momentin kur Rrapaj shënoi golin e avantazhit në shtesë, e gjithë pankina e Partizanit hyri për të festuar si të ishte një finale e Final Four. Jemi vetëm në javën e 4 të Superiores dhe kampionati është ndezur. Sigurisht, të tjerë do të thonë që kjo festë erdhi për shkakun se goli i Rrapajt ishte nga distanca, por në të kaluarën janë realizuar gola edhe më shumë të çmendur dhe festa nuk ka qenë e tillë. Fakt është që fitorja e trajnerëve kundërshtarë dhe ekipeve të Superiores shijon ndryshe ndaj Dinamos së Dajës dhe ndryshe kundër ekipeve të tjera. Padyshim që e gjitha kjo i vjen në favor Superiores që mbërrin në nivel tjetër. Dhe në fund, Daja e gjen shkopin magjik pasi Dinamo barazoi kundër Partizanit edhe në momentin që të gjithë e menduan ndeshjen të mbyllur. /Sport Ekspres/