Shqipëria do të përballet ditën e nesërme, duke nisur nga ora 18:00, me Moldavinë. Kuqezinjve u mjafton vetëm një pikë për të nisur zyrtarisht festën e kualifikimit për në Euro 2024. Kapiteni Gjimshiti dhe trajneri Silvinjo janë paraqitur sot në konferencën për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje të rënësishme për të shuar kureshtjet e gazetarëve.
“Ka kujtime, sidomos kur je në aeroplan dhe e ke prapë në dorë në këto kualifikuese. Sigurisht që është një ndjesi e bukur dhe duam ta përsërisim prapë. Ka lojtarë në ekip që nuk e kanë përjetuar atë që kemi përjetuar ne që jemi pak më të vjetër. Por do të japim maksimumin.
Brenda ekipit jemi të njëjtë. Presioni sa më afër je, aq më shumë rritet. Presioni transformohet në fushë në mënyrë pozitive. Presioni edhe të ndihmon. Ne që kemi më shumë eksperiencë duhet t’i ndihmojmë ata më të rinj. Nuk duhet të arrijmë sa kemi ecur deri tani dhe sa pak ka mbetur për të bërë ëndrrën realitet.
Besoj që ka për të qenë shumë e vështirë. Ne do e përballojmë si gjithmonë. Nuk do harrojmë që në “Air Albania” deri në minutën e 60 kur bëri atë super gjuajtje Asani nuk kishim shumë raste për të bërë gol. E dimë që do të jetë shumë e vështirë, por jemi përgatitur. Nuk do hyjmë kurrë në fushë për të marrë një pikë. Ne në natyrë e kemi që sa herë hyjmë në fushë, do hyjmë për të marrë tre pikët. Nëse nuk hyjmë me atë mentallitet, do e kesh të vështirë të marrësh më shumë”, ka thënë Berat Gjimshiti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/