“Çfarë është ky flamur, po provokon?”! Policia e ndaloi në stadium në Suedi se po mbështeste Nedim Bajramin, gazetari tregon problemet: Tifozët e Malmos po më shanin

Nedim Bajrami duket “i lindur” për të shkruar histori. Të jesh në vendin dhe kohën e duhur është padyshim edhe aftësi, por pa harruar edhe pjesën e fatit. Kjo e dyta vlen më tepër për golin historik që realizoi Bajrami me Rangers në Europa League, kundër Malmo, atje ku iu deshën vetëm 55 sekonda për të tundur rrjetën. Ndërkohë në Koha Shtesë, ishte ftuar gazetari shqiptar që jeton në Danimarkë, Redian Ara.

Me flamurin e Shqipërisë të nxjerrë në stadiumin e Malmos, Ara pati edhe komunikime nga distanca me tifozët e Rangers që e përshëndesnin me shqiponjë, ndërsa pas ndeshjes, Bajrami shkoi për të përshëndetur shqiptarët që ishin në stadium për të, përfshirë edhe gazetarin shqiptar që jeton në Danimarkë. (Videon e plot të emisionit në Koha Shtesë e shihni më poshtë)

“Sa hyra në stadium, gjëja e parë që bëra ishte të nxirrja flamurin shqiptar nga xhepi dhe ia tregova tifozëve të Rangers. Ata e kuptuan menjëherë se isha për Bajramin aty. Ishte një skenë e bukur pasi shumë prej tyre pasi më panë filluan të bënin shqiponjën. Gjatë gjithë ndeshjes, herë njëri dhe herë tjetri, kishte shumë tifozë që më shikonin dhe bënin shqiponjën pasi unë isha ulur në krahun e tifozëve të Malmos, por isha shumë afër tifozëve të Rangers. Ishin shumë të kënaqur që kishte ardhur një tifoz i Bajramit në stadium nga Shqipëria”, tha Ara.

Por ky udhëtim kaloi edhe me një incident të vogël për gazetarin shqiptar. Bileta e tij ishte në krahun e tifozëve të Malmos, por ngjitur me ata të Rangers. Duke parë komunikimin nga distanca me tifozët kundërshtarë dhe mbështetjen e treguar për Bajramin, lojtari kundërshtar i ekipit të tyre të zemrës, sigurisht që e gjitha kjo nuk u prit mirë nga tifozët e Malmos, madje një këshillë mbërriti edhe nga policia.

“Ka pasur disa incidente, por jo shumë të mëdha. I kisha disa tifozë aty afër që ishin të acaruar me mua. Nuk është se flas gjuhën e tyre dhe e kuptoj shumë mirë, por arrita të kuptoj që po më shanin disa prej tyre. Megjithatë unë nuk shkova t’i provokoj, por shkova të ndjek lojtarin tim, Bajramin. Pas mbylljes së pjesës së parë, bëra një foto nga krahu ku dukeshin tifozët e Rangers, dola edhe me flamurin shqiptar. Erdhi policia pastaj dhe më tha: “Përse po e tregon këtë flamur, çfarë ka ky flamur?”. I thashë që erdha për të parë Shqipërinë, për lojtarët e Shqipërisë. Madje i thashë: “Edhe Malmo e ka një lojtar shqiptar në stol, nëse e fusni atë në lojë, ndoshta iu përkrah edhe ju”. (qesh). Por nuk ishte diçka e madhe, polici thjesht më tha që duhet të bëja kujdes dhe të mos provokoja njeri pasi nuk donin që të krijohej ndonjë situatë e keqe. Pastaj edhe tifozët e Malmos e kuptuan se unë nuk isha tifoz i Rangers dhe nuk jam, por vetëm po mbështesja Bajramin”, tha Ara. /Sport Ekspres/