Edon Zhegrova do të bëjë realitet një nga ëndrrat që shumë futbollistë e kanë për karrierën e tyre. Anësori shqiptar do të përballet mbrëmjen e sotme me Realin e Madridit në majën e futbollit europian, në Ligën e Kampionëve. Karlo Ançeloti ka vlerësuar lojtarët e Lilës në konferenën për shtyp të dhënë një ditë përpara këtij takimi. Trajneri i Realit ka thënë se klubi francez aktualisht ka lojtarë mjaft cilësorë dhe se në vitet e fundit ka ditur si të nxjerrë lojtarë të nivelit të lartë. Fjalë që padyshim duhet të bëjnë krenar edhe Edon Zhegrovën, i cili është një nga elementët kyç të Lilës.
“Është një formë e re e kompeticionit ku duhet të grumbullosh pikë. Jemi këtu për të grumbulluar pikë. Është një ekip që luan shumë mirë dhe i pëlqen të luajë me topin. Ka lojtarë të rinj dhe me cilësi. Tani në futboll duhet të luftosh dhe të garosh në çdo ndeshje. Jemi këtu për të bërë këtë gjë. Lila është një klub i madh. Kanë bërë shumë mirë në vitet e fundit. Kanë dalë shumë lojtarë të një niveli të lartë prej këtu”, ka thënë Karlo Ançeloti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/