“I kemi mundësitë për të marrë vendin e parë”! Armand Duka: Uroj të mos kthehet si rasti i Italisë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për emisionin LOG me gazetarin Endri Xhafo në televizionin “News 24”, ku foli për ndeshjet e fundit të Kombëtares në Nations League, punën e trajnerit Sylvinho me Kombëtaren, aktivitetet e UEFA-s në Shqipëri apo edhe kandidatura për të organizuar finalet e Euro 2027 për U-21.

Gjithashtu, Presidenti Duka foli edhe mbledhjet e rëndësishme të UEFA-s, që do të zhvillohen në Tiranë apo marrëdhëniet me qeverinë.

Më poshtë, intervista e plotë:

– Ndeshjet me Çekinë dhe Gjeorgjinë: E lëmë për një moment aspektin sportiv dhe flasim për atë moment shumë të shëmtuar të flamujve në stadium, kokëposhtë, përveç parullave. Një nga kritikat që po ju bëhet është që nuk kërkuat që këta flamuj të hiqeshin përpara se të fillonte ndeshja. Cili është komenti juaj?

– Shiko ata flamuj nuk kanë lidhje me lojën e futbollit dhe nuk duhet të ishin aty. Nuk duhet të jetë asgjë që cenon dikë tjetër, që cenon, le të themi, një popull tjetër, apo qoftë edhe një individ tjetër. Nga asnjë palë dhe as nga tifozët çekë. Unë nuk mendoj që janë tifozët çekë, por është një grupim ultras, apo disa individë qe e kanë bërë atë gjë. Pastaj nuk merrem me këto komentet idiote, por me fenomenin, i cili nuk duhet të ekzistojë! Dhe loja ka rregulla. Organizimi ka rregulla. Aty ka një delegat ndeshjeje, i cili nuk duhet t’i lejojë dhe t’i heqë. Nëse i ka hequr në minutën e duhur apo jo, nëse ne e kemi njoftuar apo jo, kjo është një çështje e jona e brendshme dhe ne e kemi bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.

– Kur keni kërkuar ju të hiqen?

– Tani këtu nuk jemi në hetuesi për të dhënë minutën se kur ne e kemi njoftuar delegatin, por po ju them që në mënyrën më të mirë të mundshme, në momentin që ne i kemi parë… Se nuk është kollaj në stadium, është e lehtë ta shohësh nga ekrani dhe është më e vështirë ta shoh ta shohësh nga tribunat…

– Më vjen keq që ju po e perceptoni intervistën tonë si hetuesi.

– Është e lehtë të hedhësh baltë, por është shumë e vështirë të ndërtosh dhe të bësh punë, apo ta bësh kombëtaren shqiptare të jetë dy herë pjesë e Europianit, apo ta bësh në mënyrë të atillë që, në Çeki, të mërzitemi shumë për humbjen! Se vërtetë u mërzitëm shumë pse e humbën ndeshjen në Çeki.

– Do të flasim edhe për aspektin sportiv, por po e riformuloj pyetjen për t’ju hequr merakun të gjithë njerëzve.

– Nëse ti do të degradosh një ndeshje të ekipit kombëtar në Çeki me flamujt, kjo është gabim më i madh që mund të bësh.

– Jam shumë dakord, atëherë më lejo të të bëj vetëm riformulimin e pyetjes.

– Do të me lësh ti mua të flas, se nuk kam ardhur unë të të dëgjoj ty.

– Nuk ke ardhur të më dëgjosh, po pyetjet do të t’i bëj.

– Padyshim që ajo është një ngjarje e shëmtuar, një ngjarje e dënueshme, që nuk ka lidhje me lojën, nuk ka lidhje me ne, që e kemi dënuar në çdo kohë.

– A mund të vonohej fillimi i ndeshjes derisa të hiqeshin këta flamuj, kjo është pyetja?

– Në momentin që ata i kanë parë, kanë tentuar t’i heqin dhe i kanë hequr mesa di unë ata flamuj.

– Ju e bëtë ankesën, se njoftuat që do të bëni ankesë?

– Ne kemi bërë një deklaratë publike pas ndeshjes, ku padyshim i kemi dënuar, dhe normalisht çdo njeri i dënon, fenomene të tilla. Jo vetëm atë me flamujt, por çdo gjë tjetër që ndodh në shkallët e stadiumit padyshim.

– E çfarë vazhdimi ka?

– Kemi bërë një ankim zyrtar në Komisionin e Disiplinës në UEFA, por nuk lumturohemi nga dënimi i Federatës Çeke, lumturohemi nga eliminimi i fenomeneve. Nuk është lumturia jonë se sa dënohet Federata Çeke, që padyshim që do të dënohet, sepse këto janë rregullat e organizimit. Nëpërmjet dënimit dhe gjobave UEFA ka gjetur mënyrën e parandalimit ose të eliminimit, por nuk është qëllim në vetvete, sepse edhe të ardhurat që UEFA vjel nga këto shkelje nuk shkojnë në buxhetin e UEFA-s, por shkojnë për bamirësi.

– Ah, interesante kjo! Mirë, vijmë te ndeshja në aspektin sportiv të saj. Besoj më të qetë, se i hoqëm meraqet. Shqipëria është e treta me 6 pikë, aq sa Gjeorgjia e dyta, Çekia e para me 7 pikë. A kemi shanse të dalim të parët në grup me dy ndeshjet e fundit që i luajmë këtu në Shqipëri?

– Grupi është i balancuar në nivelin e ekipeve, i balancuar me gjendjen e klasifikimit që ka sot, kështu që çdo gjë mund të ndodhë në dy ndeshjet e fundit. Objektivi ynë që nga fillimi i këtij kompeticioni ka qenë që të jemi të parët e grupit dhe këtë do të vazhdojmë ta tentojmë në dy ndeshjet e fundit në nëntor në shtëpi kundër Çekisë dhe Ukrainës.

I kemi të gjitha mundësitë për ta arritur! I kemi të gjitha mundësitë për të marrë 6 pikë, – sikurse edhe më pak, – sepse ky është futbolli. Aq më shumë në këtë kompeticion dhe në këtë grup, i cili vërtetë është shumë i balancuar dhe mund të sjellë çdo surprizë. Të gjitha skuadrat e synojnë vendin e parë dhe e kanë mundësinë ta arrijnë vendin e parë.

Avantazhi që ne kemi është që luajmë në shtëpinë tonë. Mendoj dhe uroj që ekipi, futbollistët, ta shfrytëzojnë këtë si energji pozitive dhe mos jenë nën presion, siç ndodhi me Italinë në pjesën e parë në Europian, ku prania e tifozëve e rriti më shumë presionin dhe ekipi nuk arriti të shfaqë vlerat e veta reale. Uroj që në këto dy ndeshje ekipi të shprehë atë që di të bëjë më mirë dhe unë uroj që të ketë edhe fat dhe t’i fitojë ndeshjet.