Në Federatën e Futbollit të Kosovës duket se nuk janë shumë të lumtur me zgjedhjet që po bëjnë disa futbollistë shqiptarë të Kosovës për t’iu afruar kuqezinjëve. Kjo është një temë që plas kohë pas kohe dhe që ka gjetur edhe përgjigjen e kreut të FSHF, Armand Duka. Pavarësisht se të Kosova nëpërmjet Federatës kërkojnë që Shqipëria të mos marrë asnjë lojtar shqiptarë të Kosovës, Duka e ka thënë qartë se Shqipëria do të thërras dhe telefonoj çdo lojtar shqiptar, pavarësisht nëse ai është i lindur në Kosovë, Maqedonia apo në ndonjë shtet tjetër.
Së fundmi në podkastin Arena e Yjeve ishte i ftuar Bajram Shala, menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës. Shala është pyetur sa i përket Nazmi Gripshit dhe arsyes se përse ky futbollist nuk është thirrur nga Kosova, ndërsa nga ana tjetër, Shqipëria merr lojtarë të Kosovës. Gripshi ka lënë një gjurmë të madhe në futbollin e Kosovës duke qenë pjesë thelbësore e suksesit të Ballkanit, ka luajtur dy herë në grupet e Conference League dhe tani është pjesë e Astanës. Dhënia e shpjegimit nga Bajram Shala të linte vërtet një shije të keqe, madje shumë të keqe.
“Jo, nuk të lë as ta mbarosh pyetjen, jo. Nuk e kontaktojmë Gripshin se është lojtar i Shqipërisë. Lojtarët e Shqipërisë duhet të luajnë për Shqipërinë, lojtarët e Kosovës duhet të luajnë për Kosovën, unë këtë e besoj fuqishëm. Lojtarët e Italisë duhet të luajnë për Italinë, lojtarët e Gjermanisë duhet të luajnë për Gjermaninë, lojtarët e Greqisë duhet të luajnë për Greqinë, lojtarët e Anglisë duhet të luajnë për Anglinë”, tha Bajram Shala.
Pra, Nazmi Gripshi nuk mund të luajë dot për Kosovën pasi ka lindur në Durrës dhe kaq mjafton për të mos veshur fanellën e dardanëve. Pyetja që lind është: “Atëherë Bajram Shala, përse thërret një lojtar të lindur në Luzern, në Berlin apo në Bruksel, por jo një lojtar të lindur në Durrës apo në Elbasan?”.
Nëse marrim logjikën e Bajram Shalës se një lojtar i lindur në Zvicër duhet të luajë në Zvicër dhe një lojtar i lindur në Shqipëri duhet të luajë për Shqipërinë, në rastin më të mirë, besojmë se Shala ka gabuar pasi i bie që të mos thërras asnjë lojtar të lindur në Zvicër dhe Gjermani, gjë kjo e cila nuk ka ndodhur. Sepse nuk besojmë se një zyrtar i lartë i Federatës së Futbollit të Kosovës mendon se një lojtar shqiptar i lindur në Zvicër është më shqiptar sesa një lojtar shqiptar i lindur në Shqipëri. Ose për të qenë më të saktë po përdorim termin “kosovar” që Bajram Shala jo vetëm e përdor, por me dhënien e shpjegimit të tij tregon se ka dy kombe, kombi kosovar dhe kombi shqiptar. Pavarësisht se kombi kosovar është thjeshtë një shpikje imagjinare, nuk janë të pakët zërat dhe njërëzit që e mendojnë, duke përfshirë këtu edhe Bajram Shalën. Është tronditëse kur e gjitha kjo vjen nga një zyrtar i lartë i FFK, megjithatë duket qartë se Nazmi Gripshi nuk luan te Kosova më shumë që pjesëtarët e kësaj Federate ta trajtojnë Shqipërinë si “një hajdut” që është aty gati për të rrëmbyer lojtarët shqiptarë të Kosovës dhe se turpi tanimë do t’i mbetet Shqipërisë. Pra turpi i mbetet Shqipërisë zyrtare sepse po merr lojtarë shqiptarë. Për fat të mirë, nuk është shumica e shqiptarëve të Kosovës në këtë linjë, do të ishte tragjike nëse do të ndodhte e kundërta… /Sport Ekspres/