Milani do të luajë mbrëmjen e nesërme kundër Klub Bryzhit për të marrë fitoren e parë në Ligën e Kampionëve. Fonseka është shfaqur përpara gazetarëve në konferencën për shtyp përpara përballjes me belgët. Trajneri portugez është pyetur në lidhje me numrin e ulët të goditjeve të dënimit që shkaktojnë lojtarët e tij. Fonseka është shprehur se futbollistët e tij po tregohen shenjtorë, por duhet të shndërrohen ashtu siç edhe quhet ndryshe Milani nga tifozët: “djaj”.
“Unë si trajner nuk mund të mbroj idenë e të shkaktuarit goditje dënimi. Duhet të mbroj gjithmonë lojë, futbollin. Duhet të luajmë mirë. Por ata e dinë këtë. Jemi pak shenjtorë, por duhet të bëhemi më shumë ata që jemi: djajtë”, ka deklaruar Paulo Fonseka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/