“Edhe për Ukrainën ishte një finale”, Laçi ngre shqetësimin: Është hera e dytë që pësojmë në minutat e para

Një mbrëmje për t’u harruar në “Air Albania”. Shqipëria është mposhtur me rezultatin 1-2 ndaj Ukrainës. Kuqezinjtë hynë në fushë me ëndrrën për të marrë vendin e parë në grup, por ndodhi ajo që më pak pritej. Ukraina që dukej se i kishte mbyllur llogaritë e saj në grup u zgjua në ndeshjen e fundit dhe na dërgoi në ligën C. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë intervistat e tyre për “TV KLAN”.

Laçi: “Edhe për ata ishte një finale. E kemi filluar pak keq ndeshjen, por pastaj, sidomos në pjesën e dytë, e kishim në kontroll topin dhe aksionet. Kemi krijuar shumë aksione. Disa herë nuk e krosuam topin ashtu si duhet. Na vjen keq, sepse në pjesën e dytë ishte një lojë që duhet ta mbajmë gjithmonë. Është e dyta herë që pësojmë në minutat e para. Duhet të futemi në lojë me përqendrim. Të jemi më të përgatitur. Duhet të bënim diçka më herët në pjesën e parë. Por në pjesën e dytë besoj se i dominuam”.

Ismajli: “Pjesa e parë ishte ndeshja më e keqe e këtyre 3 viteve të fundit. Në pjesën e dytë nuk patëm çfarë të humbnim më. Të dhemb shumë, sepse do të ishim në play-off. Më vjen keq, nuk kam fjalë. Ndoshta edhe lodhja ka bërë të vetën, por kur je përpara 20 mijë tifozëve, nuk duhet të ketë lodhje. E rëndësishme që në pjesën e dytë provuam. Tani le të shohim përpara. Te Juventusi në janar? E vertetë është, ka interes. Është e vështirë, por jo e pamundur. Të shohim se çfarë do të bëhet”.

Hoxha: “Morëm golat shumë shpejt. Ishte një ndeshje e vështirë. Morali ra. Në pjesën e dytë u munduam të provonim gjithçka. Trajneri na motivoi shumë në pushim. U futëm të gjithë për të kthyer rezultatin, por nuk ia dolëm”./Sport Ekspres/