Cristian Shpendi është një temë momenti mes lojtarëve shqiptarë. Ky futbollist është sulmuesi më në formë shqiptar në Europë. Te Cesena po shkëlqen në Serinë B ashtu siç bëri edhe në Serinë C. Gola të shënuar thuajse në çdo javë dhe tani mban vendin e parë në listën e golashënuesve në Itali me 9 realizime. Në javët e fundit presioni u rrit së tepërmi për Shqipërinë nga Italia teksa u tha se Cristian Shpendi mund të shihet me vëmendje edhe nga Kombëtarja e Italisë.
Në fillim e gjitha kjo u mendua si një presion dhe ashtu rezulton ende që të jetë. E teksa shumëkush priste që Cristiani të ishte në listën e Shqipërisë për Ligën e Kombeve në nëntor, Silvinjo nuk zgjodhi kështu. Madje trajneri i Kombëtares shkoi më tej me batutë duke thënë se në një moment tjetër do ta grumbullonte së bashku me vëllain e tij, Stivenin.
Më parë kemi dëgjuar shumë deklarata dashurie nga vëllezërit Shpendi për Shqipërinë, madje në media kanë dalë edhe disa histori sesi Stiven Shpendi refuzoi grupmoshat e Italisë pasi kërkonte vetëm të vishej kuqezi. Në atë kohë, Cristian Shpendi ishte tërësisht i padëgjuar dhe ishte në hijet e të vëllait të tij, pasi Stiveni po shkëlqente dhe ishte në një tjetër nivel, ndërsa Cristiani nuk po gjente dot golin.
Në kohët e fundit duket se kjo dashuri është zbehur. Pavarësisht se është pjesë e Shqipërisë U-21, Cristiani është ende me kokë nga Itali. 9 golat me Cesenën në këtë sezon duket se i kanë ndryshuar edhe rrahjet e zemrës Shpendit, më pak për Shqipërinë dhe më shumë për Italinë. I ftuar në një emision sportiv italian, “Pianeta Biaconero”, Shpendi është shprehur me zë dhe figurë sa i përket kësaj teme.
“Sinqerisht e prisja ftesën e Silvinjos në nëntor, u zhgënjeva. Më vjen keq pasi si përfundoi edicioni i Shqipërisë në Ligën e Kombeve, rezultoi një edicion i keq i Shqipërisë. Unë jam i lindur në Itali dhe i rritur në Itali, por një ftesë nga Italia nuk më ka ardhur ende, nuk kam asnjë kontakt. Por nëse do të vinte një telefonatë, sigurisht unë tani jam me Shqipërinë, por do ta mendoja atë ftesë sigurisht. Deri tani nuk më ka ardhur asgjë nga Italia”, tha Shpendi mes dëshpërimit.
Përtej pak diplomacie të treguar, në mënyrën sesi sulmuesi është shprehur la qartë të kuptoi se një telefonatë nga Italia do të bënte që të merrte valixhet nga Shqipëria dhe të ishte pjesë e “Axurrëve”. Madje nuk do të kishte nevojë as për valixhet pasi siç shprehet edhe vetë Cristiani, është i lindur dhe i rritur në Itali, duke e përmendur si një arsye të fortë se përse Spaleti duhet ta ketë në konsideratë. Sigurisht që shumëkush në këtë moment mund të fajësojë Silvinjon se përse nuk e thirri Shpendin në nëntor për ta djegur dhe për të mos i lënë mundësinë që të shkojë te Italia pasi deri në mars kur Kombëtaret të kthehen sërish, është një kohë e gjatë dhe historia mund të marrë drejtime nga më të ndryshme.
Por pyetja është: “Në këtë moment kur Cristian Shpendi duhet të kishte fokusin te Cesena dhe që të ishte pjesë e Serisë A në të ardhmen, përse duhet ta ketë fokusin në ndryshimin e Kombëtares?”. Edhe njëherë tjetër vjen një dëshmi e pastër se për shumë lojtarë, Kombëtarja dhe klubi nuk kanë asnjë ndryshim të vetëm, lojtarët presin telefonatat dhe ofertat dhe më pas vendosin për ekipin më të madh në letër, zemra dhe origjina nuk kanë asnjë lloj ndikimi në vendim. Kjo është padyshim e turpshme për mënyrën sesi vendoset për Kombëtaren, po aq sa edhe fakti se tani i këshillojmë trajnerëve të Kombëtares që të djegin lojtarët pasi kemi frikë se mos na largohen nga Shqipëria. Një fenomen që ka ndodhur shumë edhe në të shkuarën, në kohën kur rrjetet sociale nuk kishin një fuqi të njëjtë siç kanë sot, dhe ata lojtarë që na refuzonin jo vetëm që dilnin të nderuar, por edhe quheshin ambasadorë të Shqipërisë. Cristiani me siguri mendon se kjo intervistë e dhënë në Itali nuk do të shihet në Shqipëri dhe ka thënë disa fjalë më tepër, nga ato që mund të kalojnë në tru, por jo çdo gjë që mendohet mund të thuhet. Pasi nëse Italia nuk e fton dhe Shqipëria e thërret, pyetja ishte: “A do të vlejë me pas një patriotizëm i Cristian Shpendit?”. /Sport Ekspres/