Rolando Marani është paraqitur në konferencë për shtyp në prag të sfidës kundër Bjellorusisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Ditën e nesërme kuqezinjve u mjafton vetëm një barazim për ta mbyllur grupin në vendin e parë. Por trajneri nuk kërkon të bëjë llogari. Ai ka deklaruar se në asnjë moment nuk është diskutuar barazimi në dhomën e zhveshjes, pasi gjithmonë luajnë për të dhënë maksimumin.
“Nuk shqetësohem për Muçin. Të gjithë lojtarët janë në lartësinë e duhur për të bërë mirë me Kombëtaren. Por ndoshta kjo është mundësi e mirë edhe për lojtarët e tjerë që nuk kanë pasur shumë hapësirë. Bjellorusia është kundërshtari që na ka lodhur më shumë deri tani. Ka pasur një ecuri mjaft të mirë. Në 12 ndeshjet e fundit ka pasur vetëm një humbje, atë kundër nesh. Do të jetë një detyrë e vështirë, por ne jemi gati dhe jemi të vendosur. Kemi krijuar një lloj identiteti si skuadër.
Na mjafton edhe barazimi për të marrë vendin e parë? Ne nuk jemi një skuadër që bëjmë llogari. Jemi një ekip që sa herë hyjmë në fushë duhet të japim maksimumin. Kemi menduar vetëm që të bëjmë paraqitjen më të mirë të mundshme. Nuk e kemi diskutuar në dhomën e zhveshjes diçka të tillë”, është shprehur Rolando Marani./Sport Ekspres/