“Refuzova shumë oferta në verë”, Manaj shpërthen ndaj klubit: Luaja i sëmurë për ta dhe tani as nuk më rinovojnë kontratën

Rei Manaj ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij ndaj klubit. Sulmuesi shqiptar ka dhënë një intervistë për “Fanatik”-un, ku ka shpjeguar situatën e vështirë që po përjeton te Sivaspori. Manaj ka deklaruar se refuzoi oferta mjaft të rëndësishme në verë, si dhe ka bërë sakrifica të mëdha për klubin e tij, i cili në fund nuk i vlerësoi. Ai ka treguar se Sivaspori nuk ka diskutuar ende me të për rinovimin e kontratës, çka e cilëson si një mungesë respekti për atë që ai dha për fanellën e këtij klubi.

“Kisha shumë oferta në verë. Kisha oferta nga klube të mëdha në Turqi, nga Italia dhe nga Arabia. Klubi nuk donte të më shiste poshtë vlerës që kishte caktuar. Ditën e fundit kisha një ofertë të rëndësishme. Diskutova me kryesinë dhe i thashë që: ‘ose më shisni, ose të ulemi të rinovojmë kontratën’. Sepse kontrata ime përfundon në fund të këtij sezoni dhe në shenjë respekti për atë që bëra sezonin e shkuar meritoja rinovimin. Presidenti më tha që do të flasim, por nuk folëm më asnjëherë.

Bëra gjithçka për Sivasporin. Hyra në fushë kundër Gaziantepit me temperaturë 39 gradë, mora dy serume dhe nuk fjeta gjatë natës. Luajta menjëherë pas dëmtimit tim. Jam më shumë se një lojtar për këtë klub tani. Nuk jam unë ai që e them këtë, por ata brenda klubit. Por shikoni, ata as nuk më zgjatën kontratën. Ndihem keq. Tani jam më shumë jashtë klubit se sa brenda”, ka deklaruar Rei Manaj./Sport Ekspres/