Nga hera e parë në Europian te ajo në Botëror, a mos ishte më mirë që Serbia ra në grup me Shqipërinë?

Pak ditë më parë u hodh shorti sa i përket kualifikueseve të Botërorit dhe Shqipëria përfundoi në grupin K. Shumë prej shqiptarëve u dëshpëruan kur panë kuqezinjtë që përfunduan në këtë grup, së bashku me Anglinë, Serbinë, Andorrën dhe Letoninë. Të gjithë e kërkonin Serbinë në grupet e Europianit të Gjermanisë, por jo në këtë moment në kualifikueset e Botërorit dhe kjo për një arsye të thjeshtë.

Kur mbyllëm grupin në Europian, pasi u kthyem me këmbë në tokë dhe kur pija na kishte lënë, kur nuk ishim më nën efektin e fort të alkolit, kuptuam se ishim shumë të pafat me shortin në Gjermani pasi nëse do të gjendeshim në çdo grup tjetër mund të kishim përjetuar historinë e vërtetë, atë të daljes nga grupi dhe kalimit më tej.

Dhe e parë në këtë prizëm, të gjithë në subkoshiencën e tyre këtë herë në kualifikuese kërkonin grupin më të lehtë të mundshëm, por në fakt rezultoi më i vështiri për disa arsye në dukje. Grupi A do të ishte shumë i përshtatshëm për Shqipërinë me Luksemburgun, Irlandën, Sllovakinë dhe fituesin e Itali-Gjermani.  Grupi C ishte po më i balancuar me Bjellorusi, Greqi, humbësinë e Danimark-Portugali dhe Skoci. Grupi H do të ishte ideali me Austrinë, Bosnjen, Qipron, Rumaninë dhe San Marinon.

Por nëse e mendojmë nga krahu tjetër, a mos ndoshta është një fat i madh që Serbia përfundoi në grupin e Shqipërisë? Tani do t’jua shpjegojmë arsyen. Për herë të parë që Shqipëria shkoi në Europian ishte në kohën kur Serbia përfundoi në grupin e Shqipërisë dhe kjo nuk mund të lidhet thjeshtë me konspiracionin apo rastësinë.

Motivimi që marrin lojtarët e Shqipërisë dhe tifozët kur kanë në grup Serbinë është i një niveli tjetër nga normali, veçanërisht futbollistët që janë protagonistë në fushë. Sapo u hodh grupi i kualifikueseve të Botërorit, të gjithë lojtarët nxituan ta publikonin në rrjetet sociale dhe kjo nuk kishte ndodhur në këtë mënyrë as për grupet e Europianit. Kjo tregon shumë!

Arsyeja kryesore se përse Serbia mund të quhet fati i madh që e afron Shqipërinë me Botërorin është një dhe i vetëm, bashkimi në një. Siç dihet, vendi i parë kalon menjëherë në Botëror, ndërsa vendi i dytë kalon në Play Off të Botërorit, atje ku duhet të eliminohen edhe 2 ekipe të tjera për të shkuar në Botëror.

Në çdo grup tjetër Shqipëria nuk do të merrte dot vendin e parë. Ndërkohë në disa grupe të tjera Shqipëria mund të merrte vendin e dytë, por nuk do të arrinte dot Botërorin pasi do të eliminohej në dy fazat e fundit. Gjithmonë themi se Shqipëria ka brezin më të mirë të lojtarëve në cilësi dhe kjo është e vërtetë, por në momentin që futbollistët nuk e japin 100% e tyre, përfundojmë në nivele si ai në Ligën e Kombeve për të mbajtur vendin e fundit. Duhet theksuar se lojtarët tanë nuk kanë vazhdimësi në klubet e tyre, përveç treshes së mbrojtjes Mitaj-Gjimshiti dhe Ismajli që janë titullar të padiskutueshëm, të tjerët e provojnë shumë herë stolin.

Nedim Bajrami është rikthyer edhe në stol në ekipin e tij pas fillimit shpërthyes, Ernest Muçi po ashtu, Ylber Ramadani ka nisur ta provojë këtë shije, Kristjan Asllani ka minuta të pakta te Interi. Pra janë disa lojtarë që në momentin që kursejnë diçka nga vetja e tyre në ndeshje, Shqipëria kthehet në nivele që i përkasin atyre viteve të errëta që dilnim në vendet e parafundit ose të fundit.

Por në momentin që këta lojtarë japin më shumë se 100% nga vetja e tyre, arrijnë në rezultate historike. Pra Serbia mund të quhet fati i madh pasi garanton bashkimin dhe vetëflijimin e lojtarëve për Botërorin dhe Kombëtarem. Nëse Shqipëria kalon Serbinë, shanset janë shumë herë më të mëdha për të eliminuar dy ekipet e tjera në Play Off dhe për të shkuar në Botëror sesa të dilnim në një vend të dytë, në çdo grup tjetër normal.

E gjithë energjia, karikimi, vetbesimi dhe entuziazmi që do t’i jap ambienti lojtarëve pas fitoreve me Serbinë, do ta bëjë Shqipërinë që të jetë anormale në ëndrrën drejt Botërorit. Dhe për të shkuar aty, duhet diçka e tillë, anormale. Nga e kaluara ne kemi treguar se në momentin që gjërat duken të sigurta, dimë t’i braktisim dhe t’i lëmë, si lojtarët ashtu edhe tifozët, është në ADN-në tonë. Kur Shqipëria doli për herë të parë në historinë e saj në vendin e parë në grupin kualifikues dhe shkoi në Europian, tifozët braktisën festën në Air Albania sepse Shqipëria barazoi me Ishujt Faraoe në ndeshjen e festës, kur gjithçka ishte sigurar.

Imagjinojeni për një moment nëse Como do të fitonte Serinë A këtë sezon dhe ndeshjen e fundit ku do të festohej titulli, me kampionatin e siguruar, të barazonte ndaj Venecias dhe tifozët e Comos të largoheshin nga stadiumi se ndeshja e fundit nuk u fitua kundër Venecias. Në fakt, kjo nuk ndodh askund tjetër dhe është një tjetër element që na përcakton ne si shqiptarë më lëkundjet tona të frikshme emocionale. Një gjë është e sigurt, nëse Shqipëria këtë herë fiton vendin e parë apo të dytë përpara kohe dhe humb me Anglinë në ndeshjen e fundit, tifozët nuk do ta braktisin festën që do të organizohet në takimin e fundit. Dhe kjo jo sepse do të humbim nga Anglia dhe nuk do të barazojmë me Ishujt Faraoe, por sepse kemi mundur Serbinë dhe nuk kemi marrë thjesht vendin e parë në histori.

Pavarësisht se shumë do të thonë se lojtarët janë profesionistë, të gjitha këto tipare karakterizojnë shqiptarët dhe futbollistët tanë janë po të tillë. Në momentin që një grup duket i balancuar, dinë ta braktisin kur situata fillon të bëhet më e lehtë. Kështu ndodhi pas fitores me Ukrainën në Ligën e Kombeve, kështu ndodhi pas Cekisë në kualifikuese, por nga brenda grupit të gjithë e dinë se në momentin kur ata japin gjithçka, Shqipëria korr rezultate fantastike. Dhe siç thotë fillimi i himnit tonë: “Rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshir’ e një qëllim”. Për momentin, qëllimi dhe dëshira e shqiptarëve është dhe ka qenë Serbia, Serbia është e vetmja që na mbledh të përbashkuar rreth flamurit. Nëse ia dalim me sukses dhe kur e gjitha kjo të kalojë, nuk do të ishte keq që të mendonim të mblidheshim rreth flamurit tonë edhe kur përballeshim me kombe të tjera si Cekia apo Gjeorgjia, stema dhe historia jonë vlen po aq. Dhe për ta mbyllur këtë shkrim duhet të theksojmë se nëse Serbia nuk do të kishte atë histori dhe emocione që mbart me shqiptarët, grupi K do të quhej perfekti për Kombëtaren tonë. Vetëm një Angli e fortë e destinuar për vendin e parë dhe një Serbi që në 9 ndeshjet e fundit numëron vetëm 1 fitore, atë kundër Zvicrës. Por në Botëror nuk shkohet vetëm duke mundur Ishujt Faraoe, Gjibraltarin dhe San Marinon, është momenti për të treguar potencialin tonë, në të kundërtën të kthehemi dhe ta shijojmë të qetë në shtëpi. Të paktën këtë herë kemi të sigurt dy variantet: “Ose do të festojmë si të çmendur, ose do të jemi të qetë dhe nuk do të shfryjmë pasi nuk do të dëgjojmë nga ato deklaratat e çmendura të lojtarëve që pasi humbin një rast të pastër fatal me Kombëtaren nuk dëshpërohen, por thonë: “Nuk ka problem, do të shënojë ndeshjen tjetër, ose ndeshjen tjetër”. Serbia na siguron se nuk ka ndeshje të tjera për askënd dhe përjetim do të jetë i nivelit të lartë. E tmerrshme, por e vërtet, Serbia na kthen dashurinë e madhe për Shqipërinë, të gjithëve ne, pa përjashtim. /Sport Ekspres/