Myrto Uzuni u kthye në një çështje të madhe te Granada. Pasi hyri në historinë e këtij klubi dhe e mbylli 2024 në mënyrë spektakolare me 3 gola të shënuara, sulmuesi shqiptar shkoi në shtëpi për të kaluar pushimet në mënyrën më ideale të mundshme. Madje në atë ndeshje Uzuni ka marrë edhe firmën e trajnerit te topi dhe i ka shprehur dashurinë e madhe.
Por vetëm pak ditë kaluan dhe çdo gjë plasi papritur. Trajneri i Granadas doli në konferencën për shtyp dhe u shpreh se Myrto Uzuni nuk dëshiron më të stërvitet me klubin spanjoll pasi kërkon të largohet. Sipas tij, Uzuni nuk do të luante më për Granadan për sa kohë vendoste që të mos stërvitej me këtë skuadër.
Një rast shumë serioz që prishi jo pak imazhin e ngritur me punë nga sulmuesi shqiptar dhe ky i fundit reagoi menjëherë duke thënë se historia kishte edhe pjesë tjetër, që do të dëgjohej shumë shpejt. Mediat spanjolle treguan prapaskenat teksa sipas tyre Uzuni përfiton 700 mijë euro dhe lojtari dëshironte një rritje për ta dërguar rrogën në 1 milionë euro ose në të kundërt do të largohej në MLS pasi kishte një ofertë më të mirë nga një ekip atje.
Por në Spanjë, Uzuni po trajtohet si Zot. Shqiptari do të vazhdojë të qëndrojë te Granada dhe ndeshjen e djeshme e ka ndjekur nga tribuna. Tifozët e Granadas kanë kënduar kundër drejtuesve të klubit dhe në mbështetje të Myrto Uzunit, që të mos largohej. Sulmuesi shqiptar i ka përshëndetur në disa momente, ndërsa sikur të mos mjaftonte kjo, disa tifozë të Granadas e kanë ndjekur Uzunin deri në momentin që po dilte nga stadiumi dhe i kanë thirrur: “Të lutem, qëndro”. Në mes të një presioni kaq të madh, trajneri i Granadas ka dalë sërish në konferencë për shtyp dhe u shpreh se Myrto Uzuni e ka derën hapur dhe vendimi është në dorën e tij, nëse do të stërvitet me grupin, do të rikthehet sërish në ekip. /Sport Ekspres/