“Kristjan Asllani është një lojtar i madh”! Shënoi gol pas asistit të shqiptarit, Dumfries: Ishte ekzekutim perfekt i goditjes së këndit

Interi ka marrë fitoren e radhës në Serinë A. Zikaltrit kanë mposhtur Empolin me rezultatin 3-1. Protagonist në të takim ishte edhe Kristjan Asllani. Mefushori ka marrë minuta të plota në këtë sfidë, ku ka dhënë kontributin e tij në marrjen e tre pikëve.

Në minutën e 79, Asllani dha asistin nga goditja e këndit për Dumfrisin. Ky i fundit më pas e dërgoi topin me kokë në rrjetën e Empolit për të dytën herë gjatë takimit. Edhe njëherë tjetër Asllani tregon aftësitë e tij edhe në ekzekutimin e goditjeve të ndaluara, ndërsa vetëm pak javë më parë do të shënonte nga goditja e këndit në Kupë. (Shikoni asistin më poshtë)

Gjithashtu vlen të theksohet se për herë të parë ose për të qenë më të saktë, nga të paktat raste, Asllani luajti për 90 minuta në fushën e blertë dhe nuk u ndërrua nga trajneri. Mesfushori shqiptar ka marrë një prej notave më të larta, ndërsa ka përshkruar më shumë kilometra se të gjithë lojtarët e tjerë të Interit.

Menjëherë pas ndeshjes, lojtari i Kombëtares ka marrë edhe vlerësimet e mëdha te Interi. Fillimisht ishte autori i golit, Dumfries, i cili u shpreh: “Goli im? Ishte një asist i bukur që më dha Kristjan Asllani, ekzekutim perfekt i goditjes së këndit, ai është një lojtar i madh”, tha Dumfries. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/