Përmbysja 4-5 në sekondat e fundit të lojës ka ardhur e hidhur për lojtarët e Benfikës. Këta të fundit nuk i kanë kontrolluar dot nervat e tyre, teksa janë konfliktuar me autorin e golit të fitores, Rafinjën.
Pas përfundimit të sfidës, palët janë përfshirë në një sherr mes tyre në tunelin që të dërgon për në dhomat e zhveshjes. Madje, mediat spanjolle raportojnë për ndërhyrjen e forcave të sigurisë për të shoqëruar brazilianin drejt dhomës së zhveshjes. Ndërkohë, vetë lojtari i Barcelonës ka deklaruar për mediat se kundërshtarët e kanë fyer dhe ai ua ka kthyer me të njëjtën monedhë.
“Më ofenduan në fund të ndeshjes. Unë i ofendova mbrapsht. Nëse më respektojnë, atëherë i respektoj edhe unë. Për mendimin tim ata mund ta kishin kuptuar këtë situatë, por preferuan që të më fyenin. Ky është momenti im më i mirë. Jam krenar që jam te Barcelona. Jam krenar për këtë skuadër. Mund të vras dhe të vdes për këtë ekip”, ka thënë Rafinja./Sport Ekspres/