Real Madrid ishte favorit në ndeshjen kundër Espanyol-it, të cilët nuk kanë bërë shumë mirë këtë sezon, por klubi ku ndodhet edhe Marash Kumbulla arriti të bëjë një surprizë të madhe. Heroi i Espanyolit ishte Carlos Romero, i cili në minutën e 85-të të lojës shënoi golin e fitores, që gëzoi edhe Atletico Madrid me Barcelonën. Te Reali, ata ishin të indinjuar nga disa vendime të arbitrit dhe besojnë se u dëmtuan kundër Espanjolit. Megjithatë, e gjithë kjo u la në hije nga dëmtimi që pësoi Antonio Rudiger që në fillim të ndeshjes.
Mbrojtësi gjerman u detyrua të largohej nga fusha që në minutën e 15-të për shkak të një dëmtimi, gjë që është një goditje e madhe për Realin duke pasur parasysh dhimbjet që po përjetojnë me dëmtimet e mbrojtësve këtë sezon. Tifozët e klubit mbretëror kishin më shumë frikë se mos të jenë pa Rudiger në ndeshjet më të rëndësishme që e presin Real Madridin në dy javët e ardhshme dhe për fat të keq nuk gabuan. Real Madridi konfirmoi mëngjesin e sotëm se lëndimi i Rudiger është disi më i rëndë dhe se ai do të mungojë për 20 ditë. Kjo do të thotë se ai patjetër do të humbasë derbin kundër Atletico Madridit dhe më e keqja për Realin është se nuk do të jetë në skuadër për dy ndeshjet kundër Manchester City, të paktën e konfirmuar për të parën, pasi në të kthimit mund të ndodh edhe një mrekulli. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/