UEFA dha sot miratimin për organizimin e Euro 2027 për 21-vjeçarët nga Shqipëria dhe Serbia. Ky lajm është pritur mirë nga ish-trajneri i Teutës, Edi Martini. Ai ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ku ka listuar përfitimet që do të ketë Shqipëria nga ky kompeticion. Martini thekson se organizimi i finales së kampionatit europian është si një ëndërr që e shikon shumë rrallë.
“Erdhi dita që të organizojmë një kampionat europian të 21-vjeçarëve në Shqipëri. Një super arritje, jo vetëm në aspektin sportive, që jemi të kualifikuar si vend organizator, por edhe në aspektin ekonomik, ku Shqipëria do të jetë kryefjala e të gjithë Europës për një muaj me radhë. Jemi bashkë me Serbinë në këtë organizim, por sporti është sport dhe jo politikë. Asnjërit nga ne nuk na ndryshon asgjë nga mendimi për ta, por të organizosh një finale kampionati europian është një ëndërr dhe një ëndërr që e shikon shumë rrallë. Brravo dhe suksese ekipit tonë kombëtar U21, suksese Alban Bushi”, ka shkruajtur Edi Martini./Sport Ekspres/