Futbolli është i bukur pasi është i paparashikueshëm. Një histori fantastike do të ishte ajo e Leyton Orient, nëse do të arrinte të mbante avantazhin ndaj Manchester City. Vendasit kaluan të parët në avantazh falë autogolit të portierit Ortega në minutën e 16.
Ekipi i Guardiolës vuajti shumë dhe e gjeti barazimin vetëm falë Khusanov në minutën e 56. Ndërkohë goli i fitores u realizua nga De Bryune në minutën e 79, 1-2. Kështu Manchester City ka djersitur jo pak për t’u kualifikuar më tej në Fa Cup. Diferenca mes dy ekipeve është e madhe aq sa skuadra e League One, Leyton Orient, vlen vetëm 9 milionë euro sipas Transfermarkt, ndërsa City, 1.3 bilionë euro. Një vlerë që arrihet duke bashkuar dy ekipet e kryeqytetit të Superiores ajo e Leyton, Tirana dhe Partizani, vlera e së cilave në bazë të kartonit të lojtarëve të tyre sipas Transfermarkt, kalon 9 milionë euro.
Imagjinoni përbërjen më të mirë të Tiranës dhe Partizanit që të arrinte një rezultat të tillë kundër Manchester City. Pavarësisht se nuk luajti me formacionin e parë, ekipi i Guardiolës hodhi shumë nga yjet në fushë.Në pjesën e dytë hyri në lojë De Bryune, Foden, Stones dhe Khusanov, por edhe në formacionin titullar Guardiola kishte vendosur shumë lojtarë që janë pjesë e rëndësishme e Manchester City. /Sport Ekspres/