TURP! Kosova çon Shqipërinë në FIFA? Nuk do të ketë më shqiptarë të Kosovës në Kombëtare

Një turp i madh që vazhdon me rastin e Etnik Brrutit, i cili ka një presion të madh në Kosovë vetëm për shkakun se ka zgjedhur që të kalojë te Shqipëria. Mesa duket më shumë sesa për vetë emrin e futbollistit, në Kosovë, më saktë në ambientin sportiv atje, ishin gati të shpërthenin me emrin e radhës që do të vinte te Shqipëria. Kjo vetëm për një arsye, për të bërë shembull një futbollist dhe për t’i futur frikën të tjerëve që të mos iknin te Shqipëria në të ardhmen. Dhe ky model doli me sukses pasi Gallapenin e Prishtinës e kthyen nga rruga me frikën e asaj që po ndodhte me rastin e Brrutit, duke shkuar sërish te Kosova. Pra dardanët më shumë sesa me Etnik Brrutin, problemin e kanë krijuar me Shqipërinë që po merr shqiptarët e Kosovës në Kombëtare. Këtë e konfirmon qartësisht edhe trajneri i njohur në Kosovë, Tahir Batatina. I ftuar në “Dueli Sportiv”, Batatina është shprehur se Kosova duhet të dërgojë Shqipërinë në FIFA, për t’i hequr të gjitha mundësitë që të marrë lojtarë të tjerë nga Kosova.

“Shqipëria bëri Europian me Serbinë, pak kemi reaguar, duhej më shumë të reagonim. Kur ti bën një aksident dhe nuk mëson nga ai, herën e dytë bën aksident më të rëndë. Fare nuk kemi reaguar ne, duhej të reagonim shumë më shumë. Kemi ardhur në një situatë tani ku i vetmi lojtar që nuk ka pasur asnjë arsye të shkonte te Shqipëria, është Brruti. Unë nuk ia mbaj krahun askujt, babai i Brrutit ka qenë bashkëluftëtari im. Por nuk e di se çfarë mund t’i bëjë më shumë një trajner kur i vesh shiritin e kapitenit, e bëri te Kosova U-21. FFK kur e pa se shumë lojtarë nga Kosova po iknin te Shqipëria, duhej të bënte një kërkesë në FIFA që mesa di unë lejohet. Në këtë kërkesë duhet të thuhet se lojtarët që e nisin karrierën nga moshat U-13 në Kosovë deri te U-21, të mos kenë të drejtë të përfaqësojnë një Kombëtare tjetër. Mesa di unë është e mundur kjo gjë dhe ne duhet të kontribuojmë për këtë duke ditur se nuk është hera e parë që Shqipëria po na merr lojtarë. Ne themi se jemi vëllezër, edhe Ademi me Dukën, po vëllezërit nuk e tradhtojnë njëri-tjetrin. Brruti ka bërë një gabim të madh për mua, shteti është më i madh, nuk është gjithçka paraja dhe karriera. E di sa patriotë kanë dalur tani dhe flasin mbi këtë temë, por jo jo, ata patriotë që kanë luftuar kanë luftuar për çlirimin e Kosovës se Shqipëria e çliruar ka qenë. Ata që përfaqësojnë dhe punojnë sot për Kosovën janë heronjtë e vërtetë të këtij vendi”, tha Batatina. Fjalë këto që dhembin fortë dhe që dëshmojnë zërat e shtuar kundër Shqipërisë dhe Kombëtares Shqiptare në Kosovë. /Sport Ekspres/