Gjithmonë kemi shkruar dhe vazhdojmë të shkruajmë për Ernest Muçin, por artikuj që shpeshherë janë paradoksal. Kjo jo për shkak të një ndryshimi humori tonin dhe as për shkak të interesave tona të lidhura dhe të prishura me të, por për një të vërtetë të madhe. Ky lojtar zotëron një potencal të jashtëzakonshëm, ka një talent që të lë pa fjalë dhe që e dëshmon kundër mbrojtësve më të mirë në Europë, por nuk ka ende pjekurinë e duhur për ta vendosur në zbatim. Koha po kalon, mosha gjithashtu dhe nëse Muçi nuk reagon në mënyrën e duhur, do të ishte mëkati më i madh i 10 viteve të fundit nga futbolli shqiptar, që një talent i këtij kalibri të djegi veten vetëm për shkak të mos impenjimit të tij dhe mos marrjes seriozisht të punës. Sepse siç e kemi theksuar edhe më parë, Ernest Muçi nuk i përket vetëm familjes së tij, por është një xhevahir i Shqipërisë dhe ne do të përpiqemi që ta mbrojmë këtë pasuri, fillimisht duke tentuar njëherë që të nxjerrim në pah vlerën e tij.
Ernest Muçi nuk ka fituar vetëm dashurinë e tifozëve të Shqipërisë, por edhe atyre në Turqi, edhe pse herë pas here disa vërshëllime nisin për të. Jo edhe aq padrejtësisht duke parë luhatjet e mëdha të tij në performanca. Por padyshim tifozja më e çmendur dhe më e zjarrtë e Ernest Muçit nuk është shqiptare dhe nuk ndodhet as në krahun e tij madje, pra nuk po flasim për të dashurën e tij. Është një vajzë e vogël turke e cila është shumë e njohur në Turqi për dashurinë e saj jo vetëm për Beshiktashin, por kryesisht për shkak të Ernest Muçit.
Një video kuptimplotë është ajo kur vajza qan dhe i bërtetë mamasë së saj vetëm pasi mamaja e ngacmon duke i thënë: “Muçi është i imi”. Vajza e vogël turke shpërthen në të qara duke i treguar mamasë se Ernest Muçi i përket vetëm asaj dhe nuk t’ia preki askush, as prindërit. Gjithashtu një tjetër moment i bukur është kur Muçi shënon gol në një ndeshje dhe babai i lumtur e merr vajzën në krahë dhe feston me të duke e ngritur në krahë pasi ka shënuar gol lojtari i saj i preferuar, Ernest Muçi. Buzëqeshja e vajzës i thotë të gjitha dhe nuk lë vend më për asnjë fjalë të vetme, është emocion i pastër. (Momentet i gjeni në videon më poshtë)
Gjithashtu një tjetër moment i bukur është kur vajza shikon një ndeshje të Beshiktashit dhe lojtarët dalin në fushë të rreshtuar, ajo pret me padurim që Ernest Muçi të fiksohet nga kamera, duke i treguar prindërve se doli lojtari i saj. Por jo vetëm në televizor, video më e bukur e vajzës së vogël turke vjen nga stadiumi. Në një moment kur Beshiktashi po humbiste, e mërzitur për Beshiktashin, ajo lëshon një thirrje me sa të mundet duke kërkuar që të dëgjohet nga futbollisti shqiptar: “Hajde Muçi”.
Një skenë që të lë një emocion të madh dhe të jep shumë krenari për lojtarin tonë që ka mbërritur në një pikë të tillë. Ndoshta është mirë që edhe vetë Ernest Muçi të rishoh këto skena për të kuptuar se në futboll nuk luhet vetëm karriera e tij, por luhet shumë edhe për Shqipërinë, pasi ai është një talent i madh i yni, jo i zakonshëm. Muçi e ka takuar nga afër vajzën e vogël dhe e ka mbajtur në krahë atë, duke bërë fotografinë më të bukur që mund të ketë vetë Ernesti në karrierën e tij. /Sport Ekspres/